Një film dhe histori tërësisht shqiptare në Kanë. “Derë e hapur” apo “Open door”, një bashkëpunim midis Shqipërisë, Kosovës dhe Italisë, me regjisor Florenc Papas dhe producent Eno Milkanin do të jetë pjesë e marketit të filmit si “ëork in progress”, ose si film i cili është ende në fazën e prodhimit.

Filmi është përzgjedhur filllimisht nga Agora, degë e festivalit të Selanikut.

“Filmi do të shfaqet, por jo para një publiku të thjeshtë, por para profesionistëve, përpara njerëzve të kinemasë. Kana ka tregun e filmit, pazarin e filmit. Filmi është zgjedhur si tre filmat më të mirë artistikë të gjatë nga rajoni. Në rastin konkret jemi në parapërgatitje për të filluar procesin e montazhit përfundimtar”, thotë producenti Eno Milkani.

Në ngjarjen e rëndësishme të botës kinematografike në Kanë, ky film shqiptar është i treti pas Skënderbeut dhe Parrullave. “Open Door” ka në qendër një histori familjare dhe kontrastin mes Shqipërisë bashkëkohore dhe provincës që jeton për opinion. Në rolet protagoniste janë Luli Bitri dhe Jonida Vokshi.

“Janë dy motra. Njëra jeton në Tiranë, me burrin emigrant në Greqi, më një fëmijë. Kujdeset për vjehrrin dhe vjehrrën dhe papritmas i shfaqet në derë motra e vogël, por jo vetëm kaq, ajo është edhe shtatzënë. Problemi është si do t’ia themi babait. Megjithatë, fokusi është tek motra e madhe, tek ndryshimi që ajo pëson, sepse motra e madhe është skllavja moderne”, tregon Milkani.

E ardhmja e filmit është tashmë e qartë. Pas përfundimit të filmit puna i takon shpërndarjes dhe pjesëmarrjes në festivalet e filmave të kategorisë A.

“Përfitimi që është këtu, është përfitimi moral që i bëhet kinemasë shqiptare në arenën ndërkombëtare”, thotë Milkani.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA