Sot Flamurtari-Skëndërbeu; në Vlorë superndeshja e javës së 28-të Superiores

09/04/2018 13:43

Flamurtari-Skëndërbeu do të jetë përballja e fundit e javës së 28-të, ku korçarët do të përpiqen të tregojnë forcë karakteri në një periudhë të vështirë psikologjike për ekipin.

Përballë tyre vlonjatët e drejtuar nga Shpëtim Duro pak ditë më parë treguan se kanë mundësi për të përfituar nga kjo situatë, duke i mundur në Korçë në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë. Por, në këtë përballje në kampionat situatat janë ndryshe, Flamurtari duhet të rigjejë fitoren që i mungon prej 7 ndeshjesh në Superligë.

Xhufo, por më kryesorja, Tomislav Bushiç nuk janë të gatshëm për shkak dëmtimi tek skuadra vlonjate, megjithatë Duro pritet t’i besojë të njëjtës 11-she që triumfoi në Korçë, me Kamara e Muarem në mbështetje të Danilo Alves.

Periudha jo e mirë e Skëndërbeut nga ana tjetër është reflektuar edhe në kampionat pasi në takimin e fundit janë mundur nga Vllaznia në Shkodër.

Daja do të jetë sërish pa Shehin e Lilajn, megjithatë ka rikuperuar Vangjelin e Radas, që do të jenë rregullisht në fushë. Dita, Osmani e Muzaka ka gjasa të përbëjnë repartin e mesit të fushës, ndërkohë që Gavazaj e Adeniyi do të jenë pas krahëve të Aly Sowe.

Në këtë edicion sfidat mes Flamurtarit e Skënderbeut në kampionat kanë folur për bardhekuqtë, pasi dy fitore u kanë shkuar korçarëve, ndërsa një takim është mbyllur në ekuilibër.

Kjo ndeshje do të zhvillohet mbrëmjen e sotme në stadiumin Flamurtari në Vlorë në orën 19;00 dhe do të trasmetohet si gjithmonë në paketën Supersport të platformës Digitalb.

Top Channel