“Policë” serbë në Prishtinë! Autoritetet sqarojnë situatën

09/04/2018 17:38

Me anë të zëdhënësit të saj, Policia e Kosovës ka sqaruar opinionin publik se në fshatin Makoc të Komunës së Prishtinës nuk është e vërtetë që ka forca policore serbe.

Zëdhënësi i policisë, Daut Hoxha ka folur për “Indeksonline”, duke thënë se në këtë fshat është duke u xhiruar një film dhe për këtë është marrë leje nga produksioni.

“Nuk ka vend për ndonjë shqetësim. Në atë fshat të Prishtinës, bazuar në kërkesat edhe për leje paraprake nga një produksion vendor është duke u xhiruar një film. Produksioni ka bëre xhirime edhe ditët e kaluar dhe ka marr lejen përkatëse nga autoritetet kompetente”.

Më tej, Hoxha thotë se nuk bëhet fjalë për forca të huaj policore, dhe se te gjithë personat janë aktorë, pjesë e produksionit të filmit.

Sipas tij, Policia e Kosovës konform kërkesës së parashtruar ndodhet në atë zonë për asitencën e nevojshme.

“Ju konfirmojmë që një lajm i tillë nuk është i vërtetë. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave të saj ligjore dhe ofrimin e sigurisë për të gjithë”, ka përfunduar ai.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA