Përvjetori i betejës së Koshares, Thaçi: Serbisë, përgjigje me pushkë

09/04/2018 14:37

“Kërcënimeve të Serbisë do t’iu përgjigjemi me pushkë”.

Gjatë homazheve në Varrezat e Dëshmorëve në Koshare, vendi i betejës më të madhe të UÇK-së, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi përmendi edhe vendin fqinj, situata me të cilin vazhdon të njohë ulje-ngritje, pavarësisht përpjekjeve për normalizimin e marrëdhënieve.

“Kërcënimeve serbe do t’iu përgjigjemi ashtu siç iu përgjigjëm përpara 19 viteve”, u shpreh kreu i shtetit kosovar.

Thaçi kujtoi se çdo vit, në muajt mars, prill dhe maj, Kosova shënon ngjarje të dhimbshme të sakrificës dhe të rezistencës, të lidhura me vitet e luftës 1998-1999, “por këtë herë, – shtoi ai, – Kosova s’po shënon denjësisht përvjetorin e 10 të Pavarësisë dhe 19-vjetorin e Çlirimit”.

Për Thaçin, Kosova nuk ka orientim tjetër veç atij euroatlantik.

Si zakonisht, fjalët nga Kosova, Serbia i cilëson kërcënime dhe drejtori i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën në qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriç deklaroi se Hashim Thaçi po nxit luftë, urrejtje e konflikte.

Gjuriç tha se presidenti i Kosovës nuk po e fsheh qëllimin e tij kryesor: formimin e “Shqipërisë së Madhe”.

Beteja e Koshares u përkujtua edhe nga kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili tha se ajo dëshmoi unitetin e shqiptarëve. Edhe Haradinaj, ashtu is Thaçi, theksoi se rruga e vetme e Kosovës është ajo e integrimit euroatlanik.

FOTO GALERI
1/8

Top Channel