Boston Celtics frenohet nga Atlanta Hawks në ndeshjen e radhës në NBA.

Skuadra e Hawks e mbylli këtë ndeshje me rezultatin 112-106, fitore të cilën e siguroi vetëm në minutat e fundit, falë 9 pikëve të shënuara nga Taurean Prince dhe Dwayne Dedmon. Bostoni gjatë këtij takimi krijoi një avantazh prej 13 pikësh, të cilin në fund nuk diti ta ruajë. Gjithsesi, kjo disfatë nuk i ndryshon gjërat për Bostonin në sezonin e rregullt, ndërsa Atlanta mbetet në vendet e fundit të klasifikimit në Konferencën e Lindjes.

Toronto Raptors vazhdon serinë e fitoreve. Skuadra që tashmë e ka siguruar vendin e parë në Konferencën e Lindjes, këtë radhë mposhti Orlando Magic me rezultatin 112-101. Basketbollisti më i mirë në parket për Raptors ishte Miles, autor i 22 pikëve, ndërkohë që u dallua edhe Anunoby me 21 pikë e 8 topa në tabelë. Për Orlando Magic, që nuk mundi të rivalizojë me Toronton, më të mirët ishin Birch me 12 pikë e 12 topa në tabelë dhe Aaron Gordon me 16 pikë.

Golden State Warriors rikthehet te fitorja pas dy disfatave radhazi. Skuadra kampione e NBA mposhti Phoenix Suns 117-110, duke i shkaktuar kësaj të fundit humbjen e tretë radhazi dhe të nëntën në dhjetë ndeshjet e fundit. Klay Thompson mori përsipër që të drejtojë Warriors drejt suksesit, duke shënuar 22 nga 34 pikët e tij vetëm në periodën e parë. Ai u ndihmua në këtë mision edhe nga Kevin Durant, me 17 pikë e 9 asist për të mbyllur të gjitha llogaritë e kësaj sfide.

Top Channel