“Do të mbijetojmë dhe do të qëndrojmë në Kosovë”; mesazhi që Marko Gjuriç dërgoi pas hyrjes në vend për festën e Pashkëve, nuk mund të konsiderohet saktësisht paqësor dhe në frymën e kremtimeve që i solli lejen e qëndrimit në Kosovë.
Gjuriç mori pjesë në liturgjinë e Pashkëve ortodokse në Manastirin Banjska pranë Zveçanit, ku sipas Tanjugut, tha se Serbia do të jetë gjithmonë me popullin e saj në Kosovë.
“Ne serbët jemi popull numerikisht i vogël, por trim dhe liridashës”, u shpreh ai, duke shtuar se Serbia do të dijë t’i mbrojë njerëzit në Kosovë, ku sipas Gjuriçit, populli serb ka mbi 1000 vjet që ndërton identitetin e vet.
Drejtori i zyrës për Kosovën në qeverinë serbe bëri dhe një urim për Pashkët duke kërkuar këmbëngulje, qëndrueshmëri dhe dashuri për të gjithë.
Zyrtari i lartë i Beogradit shkaktoi një tërmet të vërtetë përpara dy javësh në 26 mars, kur u arrestua në Mitrovicën e Veriut për hyrje të paligjshme në Kosovë.
Reagimet ndaj ndalimit dhe dëbimit te tij ishin të shumta dhe kulmuan me largimin e Listës Serbe nga koalicioni qeverisës në Kosovë, çka i hoqi këtij të fundit 10 deputetë në Parlament.
Top Channel