Turqi/Kur njerëzit kanë frikë të shprehen, berberët janë burim i çmuar

07/04/2018 14:41
The Economist, 1843 Magazine

Shkova në qytetin turk që qeveria atje e sheh si “djep terrorizmi” dhe një mysliman më vuri tehun e mprehtë në fyt. “Mbështete kokën dhe rri i qetë”, më tha.

Çuditërisht, u mbështeta i qetë. Ku ka më mirë se një rruajtje me metodat e vjetra për një udhëtar të lodhur e të pluhurosur! Një brisk i mprehtë në duart e një berberi me përvojë mund ta kthejë edhe shëmtinë e një mjekre 4-ditore në diçka të paraqitshme. Veç kësaj, në një vend ku informacioni është i kufizuar, berberët janë burim i shkëlqyer për thashetheme.

Berberi im, të cilin po e quaj Azad, jeton në Dijarbakir, kryeqyteti jo-zyrtar i pjesës kurde të Turqisë. Është qytet i bukur, i lashtë, i famshëm për punimet e stolive prej floriri. Është sunduar me radhë nga romakët, persët, arabët dhe otomanët, por për historinë e kohëve të fundit është e vështirë të flasësh lirshëm. Në fakt, banorët nuk gjejnë asgjë kur kërkojnë emrin e qytetit të tyre në Wikipedia, sepse faqja është bllokuar.

Muret e lashta rrethuese të Dijarbakirit, qyteti më i madh në pjesën e Turqisë me popullsi kurde

Në fund të vitit 2015 dhe në fillim të 2016-ës, një grupim rebel i quajtur “Partia e Punëtorëve të Kurdistanit” (PKK) pushtoi qendrën e lashtë të Dijarbakirit, zonën e quajtur Sur. Ata arritën të fusin armë, pastaj hapën llogore, ngritën barrikada dhe shpallën autonominë e enklavës.

Ishte veprim i nxituar. Ushtria turke e rrethoi Surin dhe shkatërroi një pjesë të qytetit me artileri të rëndë. Mbeturinat e rrënojave u mblodhën mbi kamionë dhe u shkarkuan në brigjet e lumit Tigris, bashkë me copa kufomash. Grupet e të drejtave të njeriut mendojnë se të vdekurit kanë qenë me qindra.

Azadi nuk u ndie gjatë luftimeve dhe dyqani i tij mbijetoi. Por rebelimi i pafat kurd nuk e la pa telashe. Në verën e vitit 2016, një pjesë e ushtrisë turke organizoi një grusht shteti. Avionët e forcave ajrore bombarduan parlamentin dhe presidenti Rexhep Tajip Erdogan i shpëtoi vdekjes për pak. Grushti u shtyp shumë shpejt dhe hakmarrja e Erdoganit erdhi e menjëhershme, pa pyetur se kë merrte përpara. Rreh 160,000 turq u arrestuan ose u pushuan nga puna, të akuzuar se e kishin mbështetur grushtin. Shumë prej tyre janë të pafajshëm.

Ushtar turk gjatë ofensivës kundër PKK në lagjen Sur, Dijarbakir, Turqi, 2016. Foto nga: Anadolu Agency/Getty Images

Azadi bëri shkumë me një furçë të butë, e vendosi sipër një shiriti lëkure dhe nisi ta shtrojë ngadalë mbi fytyrën time.  Pastaj nisi të ma pastrojë fytyrën nga qimet me mjeshtërinë e një samuraji që qëron lëkurën e një pjeshke me shpatë. Shkumën e fshinte pas një copëze letre. Duart i lëvizte plot siguri, por zëri i dridhej.

Pas ngjarjeve të grushtit të shtetit, atij i kishin arrestuar djalin. Kur kishte qenë adoleshent, djali kishte vazhduar një shkollë të menaxhuar nga Gylenistët, lëvizja islamike që akuzohet nga qeveria për grushtin e shtetit. Kjo ishte e vetmja provë që kishte policia kundër tij, por dilte dhe tepronte.

Azadi ishte përpjekur me dëshpërim që të merrte informacion për të birin, por pa përgjigje. Vetëm pasi i biri kaloi më shumë se një vit prapa hekurave, dikush arriti në përfundimin që djali i tij nuk ishte i rrezikshëm. “Çdo ditë na duket si festë në shtëpi, që kur është kthyer djali”, tha Azadi.

Pothuajse çdo person në Turqi e njeh dikë që është burgosur ose pushuar nga puna. Vetëm 10 vite më parë, ky vend dukej si një demokraci e qëndrueshme, një kandidat i mundshëm për t’u bashkuar me BE-në, por sot po zhytet në diktaturë. Si gjithë autokratët e tjerë, edhe Erdogani ka nevojë për “djaj” që duhen fajësuar për gjithçka. Kjo gjë nervozon sidomos kurdët, një pakicë e persekutuar prej kohësh.

Rebelët kurdë të PKK, gjatë kryengritjes në lagjen Sur, Dijarbakir, Turqi, 2016

Ushtria turke marshoi në Siri, në fqinjin e shkatërruar, për të shtypur degët e PKK-s që luftuan kundër Shtetit Islamik (ISIS) me mbështetje ajrore nga forcat amerikane. Erdogani nuk i lejon dot kurdët që të krijojnë një shtet të vogël brenda Sirisë, pasi kjo do të frymëzonte edhe kurdët e Turqisë. Televizionet turke trumbetojnë çdo ditë fitoret e njëpasnjëshme të ushtrisë kundër “terroristëve” kurdë.

E pyeta Azadin se ç’mendonte për presidentin turk. Ai më qëlloi lehtë faqet, që të përhapte një kolonjë limoni aq të fortë sa më shpoi hundët e më nxori lot nga sytë.

Pastaj më befasoi dhe tha se Erdogani ishte udhëheqës i madh dhe që kishte shpëtuar Turqinë nga pushtimi i ushtarakëve.

Ushtria turke në Siri, e angazhuar kundër kurdëve të PKK

Për keqtrajtimin e të birit nuk qortonte Erdoganin, por “shtetin”, oborrtarët e këqij të sulltanit. (Dhe këto mendime i mban për vete, sepse nuk pëlqehen shumë nëpër Dijarbakir.) Ai e lëvdoi Erdoganin për mbështetjen që i jepte fesë, e cila kishte qenë shtypur nga qeveritë e mëparshme. “Për mua ka rëndësi që vajza ime të mbajë shami”, tha ai.

Jo shumë larg nga dyqani i Azadit, shkova dhe u ngjita në muret rrethuese të qytetit të Dijarbakirit. Një tabelë e vendosur nga policia i këshillonte njerëzit të mos ngjiteshin lart. Siç dëgjova, dikush kishte rënë nga muri teksa bënte foto “selfie”. Megjithatë, shumë kurdë ngjiten çdo ditë në majë të mureve për të parë më mirë Surin, vendin ku PKK u mbajt e rrethuar. Aty ku më parë ndodhej një lagje e lashtë, sot është një kantier i sheshuar. Qeveria po ndërton një pallat banimi sipër rrënojave.

Robert Guest, “The Economist, 1843 Magazine”

Top Channel