Juventusi iu deshën dy penallti dhe një supergol i Douglas Costas që të dilte me pikë të plota nga transferta e lehtë në letër e Beneventos.
Dybala ishte protagonisti për bardhezinjtë duke shënuar një tre gola, dy prej të cilëve nga pika e bardhë e penalltisë.
Argjentinasi shënoi golin e parë në minutën e 16-të pas një pase të marrë nga Kuadrado. Por, pak minuta më vonë Benevento barazoi me anë të Diabate.
Kur pritej fërshëllima e gjyqtarit të takimit për mbylljen e pjesës së parë, gjyqtari akordon një 11-metërsh për Juventusin, që Dybala e shndërron në gol.
Benevento nuk dorëzohet dhe dhjetë minuta nga nisja e pjesës së dytë, sërish me Diabaten gjen golin e barazimit.
Deri në minutën e 74 Juventusi ishte i paqartë në fazën sulmuese, ndërsa vendasit iu afruan disa herë me kundërsulm goli të avantazhit. Por, pikërisht në këtë minutë, Higuain i “vjedh” një 11-metërsh mbrojtjes vendase dhe Dybala nuk gabon as këtë herë.
Për vendosjen e fateve të këtij takimi mendon Douglas Costa që shënon një supergol në minutën e 82-të. Me këtë fitore, Juventusi shkëputet në +7 pikë nga Napoli i vendit të dytë.
Top Channel