“Qesh mirë kush qesh i fundit”, i refuzuari i prish festën Guardiolës

07/04/2018 20:25

Pep Guardiola hyri në dhomat e zhveshjes në fund të pjesës së parë i buzëqeshur dhe me qetësinë e avantazhit të dy golave, por doli nga stadiumi më i zymtë se kurrë.

Manchester United fitoi me përmbysje në derbin me City-n në fushën e këtij të fundit.

Në ndeshjen plot ritëm dhe nga ato të rrallat që shihen vetëm në Premier Ligë ndodhi gjithçka, që nga pesë golat, kartonat e verdhë, nervozizmi dhe penalltitë e mohuara,

“Sheikët” e City-t panë veten në avantazhin e dy golave brenda pesë minutave, fillimisht me Kompany, që shënoi në të 25-tën dhe më pas me Gundogan që dyfishoi.

Përgjigjja e “Djajve” të Jose Mourinhos ishte ruajtur për në pjesën e dytë. Dy gola të shpejtë të Pogba në minutat e para të pjesës së dytë barazpeshuan rezultatin, ndërsa Chris Smalling shënoi golin e avantazhit në minutën e 69.

Pak minuta më vonë, një ndërhyrje e ashpër ndaj Agueros brenda zonës nuk u fërshellye 11-metërsh nga gjyqtari i takimit, ndërsa nervozizmi nuk mungoi në fushë, duke bërë që vendasit në 10 minutat e fundit të merrnin plot 5 kartonë të verdhë.

Kjo ishte humbja e dytë radhazi për City-n, por ndryshe nga ajo e mesjavës në Ligën e Kampionëve ndaj Liverpulit, kjo e kësaj të shtune ishte e “padëmshme”, pasi vetëm sa shtyn shpalljen kampionë të Citizens.

Top Channel