“Plas” te Sportingu, Presidenti pezullon të gjithë lojtarët

07/04/2018 12:03

Pas humbjes me Atletico Madrid, te Sportingu i Lisbonës situata ka degjeneruar. Pasi Presidenti i klubit, Bruno de Carvalho i kritikoi lojtarët në Facebook, ata nuk kanë pranuar të stërviten ditën tjetër pa u sqaruar më parë me të.

Një prej veteranëve të ekipit, Rui Patricio postoi në rrjetet sociale këtë mesazh në emër të të gjithë shokëve: “Jemi të pakënaqur nga deklaratat e Presidentit tonë pas ndeshjes ku nuk morëm rezultatin që dëshironim. Jemi të pakënaqur edhe nga mungesa e mbështetjes nga ana e personit që duhet të jetë udhëheqësi ynë dhe jo të fajësojë publikisht lojtarët. Problemet zgjidhen brenda grupit”.

Presidenti u kundërpërgjigj shumë shpejt, duke thënë se të gjithë lojtarët janë të pezulluar. Lista e të ndëshkuarve përbëhet nga Rui Patricio, William Carvalho, Coates, Coentrao, Gelson, Piccini, Acuña, Battaglia, Bryan Ruiz, Bruno Fernandes, Montero, Ristovski, Wendel, Rúben Ribeiro, Doumbia, Bruno César, Podence, Palhinha dhe Leao.

“Këta fëmijë të llastuar më kanë sosur durimin. Mos të mendojnë se janë mbi klubin dhe kritikat”, tha Presidenti i klubit të madh portugez.

Top Channel