Temperaturat e larta dhe moti me diell kanë nxitur edhe më tepër qytetarët e Tiranës t’u drejtohen kodrave të Liqenit për të kaluar një fundjavë me familjen.

Disa kanë zgjedhur të bëjnë një xhiro me biçikletë, disa të tjerë ecje në natyrë, e të tjerë stërvitje në veglat sportive të ofruara në këtë park.

Mes tyre ka edhe njerëz që janë indiferente ndaj ajrit të pastër apo ecjeve. Për ta ka më shumë rëndësi një kënd në hije, me një tavëll apo domino përpara, e loja me miq të moshës kompleton argëtimin e fundjavës.

Zona e preferuar e fëmijëve mbetet këndi i lojërave, ku orët kalojnë pa u ndier.

E nëse ecja ndodh që të shoqërohet edhe me tingujt e muzikës, doza e shlodhjes dyfishohet. Entiona del shpesh të ushtrohet në kodrat e Liqenit, së bashku me vëllain dhe shokun e saj, me të cilët tashmë ka formuar grupin e saj muzikor.

“Gjithçka është në varësi të ditëve, të kohës, të mundësive tona, sepse jemi edhe studentë në shkollë”, thotë Entiona Tahiraj. “Luajmë pjesë të ndryshme, zhanre të ndryshme, është edhe pjesë e frymëzimit, por edhe e kënaqësisë së njerëzve. Shohim pak a shumë se çfarë atyre u pëlqen më shumë. E bëjmë për kënaqësi, por edhe për të fituar diçka. Le të themi që është edhe profesion, edhe pasion. Gjithsesi nuk mund të them se fitohet mjaftueshëm përmes pasionit. Në krahasim me çfarë jepet, arti mbetet gjithmonë pas”, deklaroi më tej ajo.

Top Channel