Manchester City dhe Bayern Munchen luajnë sot për të festuar përpara kohe titullin kampion në kampionatet e tyre respektive.
Skuadra e Guardiolës do të presë në “Etihad Stadium” rivalët e qytetit, Manchester United, të drejtuar nga Jose Mourinho. Fitorja e mundshme e derbit i jep mundësinë “Citizens” që të fitojnë titullin e pestë në Premier League e do të rrisë akoma më shumë moralin për ndeshjen e kthimit me Liverpulin në Ligën e Kampionëve, për tentuar përmbysjen e rezultatit 3-0. Por, Pep Guardiola do të duhet të përballet me rivalin e tij të përjetshëm, Jose Mourinho, i cili është një ekspert i prishjes së festave të titullit. Në vitin 2014, kur kishte Chelsea në drejtimin e tij, evitoi fitoren e titullit nga ana e Liverpulit. Këtë radhë, mundësia e vetme që ka është vetëm të mos lejojë Guardiolën e skuadrën e tij që të festojë pikërisht në fund të kësaj ndeshjeje derbi.
Ndërsa në Gjermani, Bayern Munchen do të udhëtojë drejt Augsburgut për të fituar e për të festuar titullin për të gjashtin vit radhazi. Një festë që do të jetë e frenuar, sipas trajnerit Jupp Heynkes. Bajerni e ndryshoi në mënyrë drastike sezonin e tij pas largimit të Carlo Ancelotti. Me italianin në pankinë, në pjesën e parë të sezonit Bayern ishte 5 pikë prapa Dortmundit, ndërsa tani është 17 pikë larg Schalkes së vendit të dytë, që do të luajë me Hamburgun.
Top Channel