Pa rivalë në La Liga, Barça e Valverde shohin drejt rekordeve historike

06/04/2018 11:05

Barcelona dhe trajneri i saj Ernesto Valverde do të kenë një rast të jashtëzakonshëm përballë një kundërshtari të zakonshëm në La Liga.

Formacioni katalanas do të luajë ndaj Leganesit këtë të shtunë, por pavarësisht nivelit të rivalit, tekniku që i drejton mendon se kanë mundësinë të shkruajnë rekorde.

Ernesto Valverde do të drejtojë ndeshjën e 50 si trajner i Barcelonës, ekip me të cilin ka një bilanc fantastik deri më tani, me asnjë humbje të pësuar në La Liga: Udhëheqës në La Liga, finalist në Kupë dhe me një këmbë në gjysmëfinalet e Champions League.

Nëse ai vazhdon me këto suksese, Valverde do të bëhet trajneri i tretë në historinë e Barcelonës që fiton një “tripletë”, pas Guardiolës në sezonin 2008-2009 dhe Luis Enriques në sezonin 2014-2015.

Nëse fiton ndaj Leganesit, Barça do të barazojë gjithashtu rekordin me 38 ndeshje radhazi pa humbje, një arritje të cilën më parë e kanë arritur vetëm Johan Cruyff, Guardiola dhe Luis Enrique. Kryesuesit e La Ligës nuk kanë humbur në kampionat që prej disfatës ndaj Malagës, më 8 prill 2017.

Top Channel