Bosi deri dje në arrati, i konsideruar si kreu strategjik dhe anëtar i rangut të lartë i organizatës “Ndrangheta”, Giuseppe Pelle është arrestuar gjatë mesnatës nga policia, gjatë një blici të zhvilluar në Condofuri të provincës së Reggio Calabrias.
Pelle fshihej në një ambient banimi të izoluar, në një zonë të paarritshme pranë qytetit kalabrez. Në operacionin blic të zhvilluar në këtë zonë morën pjesë rreth 50 forca lokale dhe qendrore të policisë, të koordinuar nga Drejtoria Antimafia e Qarkut të Regginës.
Gjatë ndërhyrjes, brenda në shtëpi gjendeshin edhe disa persona të tjerë veç bosit, pozicionet e të cilëve në rangjet e grupit mafioz mbeten për t’u hetuar. Askush nuk i rezistoi ndërhyrjes policore.
Pelle, 58 vjeçari i arratisur prej dy vitesh, konsiderohet nga hetuesit si një element i shquar i bandave të San Lucas dhe pjesë e “Provincia”-s, një prej organeve më të larta të “Ndranghetës”. Ai i përket familjes së fuqishme “Gambazza” në San Luca, e udhëhequr dikur nga babai i tij Antonio Pelle, edhe ky drejtues i lartë i “Ndranghetës” derisa vdiq në vitin 2009.
Pelle duhet të shlyejë një dënim të mbetur prej 2 vitesh, 5 muajsh dhe 20 ditësh për krijim të “shoqatave mafioze” dhe “përpjekje për grabitje”.
Top Channel