Manchester United kërkon të firmosë me brazilianin e Chelsea

06/04/2018 08:56

Juan Mata po luan ndeshjet e fundit me fanelën e Manchester United, pasi në fundin e sezonit futbollisti 30-vjeçar do të largohet nga “Old Trafford”.

Mediat britanike kanë zbuluar manovrat e fundit të trajnerit Mourinho, që kërkon të spastrojë skuadrën nga disa futbollistë. Mata që u bë pjesë e United në vitin 2014 për 45 mln euro numëron 182 ndeshje dhe 39 gola, por nuk e bind trajnerin Mourinho që ka në mendje ndryshime thelbësore në skuadër.

Dhe vendin e spanjollit Mata pritet ta marrë një nga të preferuarit e Mourinhos, braziliani Willian. 29-vjeçari ishte shumë pranë transferimit edhe një vit më parë, por United këtë sezon duket më i vendosur. Willian mendohet se mund të lëvizë drejt “Old Trafford” për 40 milionë euro, aq sa u ble 5 vjet më parë nga Shakhtar Donetz.

Braziliani Willian ka shprehur dëshirën që të provojë një eksperiencë me United, jo shume i kënaqur me hapësirat që i ka dhënë Conte në dy sezonet e tij të drejtimit. Willian është nën kontratë deri në 2020 te Chelsea.

Top Channel