Pas një debati të ashpër publik mbi takimet e komunitetit LGBTI në shkollat e Tiranës, hapet një dialog i gjerë mes politikanëve, komunitetit LGBTI dhe forumeve rinore. Nga ky takim, u prezantuan për herë të parë gjetjet e një studimi që flet për angazhimin e partive politike për të respektuar të drejtat e komunitetit LGBTI, si dhe konkluzionet e arritura nga anketa e realizuar brenda komunitetit LGBTI.

Një nga deputetet socialiste, e angazhuar kundër homofobisë dhe diskriminimit, Vasilika Hysi kishte një mesazh për kolegët e saj që ishin shfaqur homofobë.

“Në këtë kuvend krah për krah me ne kanë qenë të ulur kolegë pa integritet, të dyshuar si të lidhur me botën e krimit dhe korrupsionin, që nuk e meritonin që të ishin në kuvend hde janë pranuar dhe nuk na ka ardhur turp që i kemi pasur pjesë. ndërsa kur flasim për lgbti ka kolege që nuk e pranojnë respektimin e kësaj çështje”, tha Vasilika Hysi.

Më konkret ishte ambasadori amerikan. “Kemi ndjekur debatin e nxitur nga komentet e bëra nga Ylli Manjani, Tritan Shehu dhe Oriola Pampuri, shpresoj që të kuptojnë që nuk përfaqësojnë vetëm bindjet e tyre partiake por edhe njerëzit”, tha Lu.

I menjëhershëm ka qenë edhe reagimi i deputetit, Tritan Shehu. Deputeti demokrat e konsideron të papërshtashme deklaratën e ambasadorit dhe thotë se ka të drejtë të shprehë bindjet e principet e tij personale për të tilla çështje, “kuptohet brenda ligjeve të vendit tim”.

Ylli Manjani, ish-deputet i LSI ishte më i drejtpërdrejtë.

“Edhe unë zoti Lu, po ndjek me vemendje debatin në Amerikë për përfshirjen Tuaj në dorëzimin e Sistemit të Drejtësisë së Shqipërisë në duart e Qeverisë! Kjo është më e rëndësishme! Ndjesë që nuk debatoj dot me ty në Kuvend sepse nuk jam deputet”, reagoi Manjani.

Ambasadorja e BE në Tiranë, Romana Vlahutin u tërhoqi vëmendjen përfaqësuesve të partive politikë në Parlament.

“Por, për fat të keq, për shkak të asaj që ndodhi javët e fundit në mediet sociale – përfshirë një gjuhë të turpshme urrejtjeje nga një ish-ministër, apo një anëtar aktual i parlamentit, pasuar me indiferencën e shumë udhëheqësve politikë dhe me heshtjen zhgënjyese të institucioneve që duhet të mbrojnë të drejtat individuale – nuk kemi shumë për t’u krenuar. kjo e bëri të qartë se grupet e cenueshme në shqipëri, dhe një nga këto komunitete është komunitet lgbti, ende sot janë shpesh subjekt i diskriminimit, ngacmimit, përjashtimit dhe gjithnjë e më shumë, i një gjuhe urrejtjeje. episodi i fundit është një shembull se si pandëshkueshmëria e krimit të urrejtjes mund ta helmojë hapësirën publike dhe t’ua vështirësojë jetën shumë njerëzve”, tha Vlahutin.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA