Lidhja Demokratike e Kosovës ka paralajmëruar nisjen e një mocioni mosbesimi ndaj Qeverisë së Kosovës, duke konstatuar se koalicioni aktual ka humbur shumicën në Kuvend pas daljes së Listës Serbe në opozitë.
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, deputeti Avdullah Hoti tha në një konferencë për mediet se, do të ishte e rrugës që Qeveria “Haradinaj” ta ofrojë vet dorëheqjen.
“Më çudisin disa deklarata, kur thonë se qeveria është e qëndrueshme. Duhet të dalin dhe të japin dorëheqje”, tha Hoti, duke iu referuar kryeministrit të Kosovës dhe kabinetit qeveritar.
“Me daljen e Listës Serbe ka mbetur qeveri e pakicës. Është më se e qartë se kjo s’mund të vazhdojë më tej”, tha Hoti.
Në rast se Haradinaj dhe qeveria e tij nuk japin dorëheqjen, Hoti tha se LDK-ja do të marrë nismën e ngritjes së mocionit të mosbesimit.
“Vendi nuk mund të qeveriset më tej nga kjo qeveri e pakicës, si rezultat temat e mëdha nuk mund të adresohen nga kjo qeveri, e në veçanti dialogu me Serbinë. Po flitet shumë për këtë marrëveshjen gjithëpërfshirëse përfundimtare me Serbinë, por kjo nuk mund të arrihet me këtë pakicë parlamentare. Duhet të keni parasysh se janë afro 350 mijë vota shqiptare që janë në opozitë, në krahasim me pak mbi 200 mijë vota që janë në pushtet. Si rezultat i këtyre zhvillimeve, vendi detyrimisht duhet të shkojë në zgjedhje, jo vetëm pse dëshiron LDK-ja, por sepse vendit i duhet një qeveri e qëndrueshme e me viziton të qartë”, tha Hoti.
“Ne kemi ofruar propozimin tonë për një tryezë të përbashkët, për të caktuar datën e zgjedhjeve. Nëse kjo nuk ndodh, jemi të detyruar që ta çojmë përpara mocionin e mosbesimit. LDK-ja është e gatshme”, deklaroi Hoti.
Një ditë më herët, LDK-ja mblodhi edhe kryetarët e degëve të saj, ku po ashtu kishte një qëndrim të përbashkët për nisjen e procesit të rrëzimit të qeverisë dhe dërgimin e vendit në zgjedhje të parakohshme.
Top Channel