Gati 5 muaj pasi kishte paraqitur kërkesën e tij për azil, të kërkuarit për t’u ekstraduar në Republikën e Turqisë, Ugur Toksoy, i është njohur e drejta e refugjatit në Kosovë. Lajmin e konfirmoi për mediet kosovare vet avokati i tij.
Në kërkesën e paraqitur 3 nëntorin e vitit të kaluar, Toksoy theksonte se, në vendin e tij të origjinës ishte objekt i përndjekjes me karakter politik dhe shtonte se në rast kthimi do të ndeshej me dëmtime serioze për arsye politike.
Shtetasi turk ishte arrestuar tetorin e vitit 2017 për t’u ekstraduar drejt Turqisë, nën dyshimin e lidhjeve me organizatën “FETO”, që autoritetet turke e konsiderojnë si terroriste.
Në emrin e tij ishte lëshuar një fletarresti ndërkombëtar. Vendimi për t’i njohur tani të drejtën e azilit vjen në vazhdën e “tërmetit” që shkaktoi në politikën kosovare dëbimi i 6 shtetasve turq të përshkruar si “gylenistë”, të cilëve iu revokua leja e qëndrimit e u dëbuan me arsyetimin e rrezikut për sigurinë kombëtare.
Top Channel