Të jesh nga 20 deri në 45 vjeç, të kesh shëndet të mirë, të bësh analiza periodike për të garantuar mungesën e infeksioneve e të tjera si këto, janë mes kushteve të shumta për të qenë një dhurues sperme.
Por, një bankë sperme në Pekin ka vendosur që ta çojë në një tjetër nivel sigurinë në këtë fushë, duke kërkuar që dhuruesit të jenë besnikë të Partisë Komuniste. Spitali i tretë i Universitetit Pekin, në një komunikatë të tij, lajmëroi se dhuruesit e mundshëm duhet të dashurojnë edhe atdheun socialist. Lajmërimi për kandidatët e mundshëm premton edhe 5500 juan (872 dollarë) për ata që do të kalojnë testet e shumta, pjesa dërrmuese e të cilave plotësisht të arsyeshme, ndërsa në sy ranë pikërisht kërkesat politike.
Në komunikatën që mediat raportojnë se tashmë është ndryshuar, kërkohej që dhuruesit potencialë të kishin cilësi të favorshme politike. Dhuruesit, sipas spitalit, duhet patjetër të mbështesnin lidershipin e Partisë Komuniste, të ishin besnikë të kauzës së partisë dhe të mos kishin probleme politike.
Nuk është e qartë se si spitali planifikon të verifikojë besnikërinë ideologjike të dhuruesve të spermës, të cilët, sipas bankave të spermës në Kinë, janë në mungesë të madhe, sidomos pas lehtësimit të politikës me vetëm një fëmijë nga qeveria kineze.
Top Channel