Theodhor Masllavica, në krye të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes

05/04/2018 15:51

Theodhor Masllavica zgjidhet president i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. Në përfundim të procesit zgjedhor të kësaj të enjteje në këtë federatë rezultoi se Masllavica fitoi 19 vota kundrejt 2 të rivalit të tij, Ilir Topuzi.

Emërimi i tij thuasje në unanimitet të plotë nga familja e shtangës vjen në një moment kontravers për këtë sport në vendin tonë, shkruan supersport.

Vetëm pak ditë më parë Briken Çalja fitoi tri medalja të arta në Europianin e peshëngritjes që u zhvillua në Bukuresht, duke sjellë optimizëm pas stuhisë që solli pozitiviteti i Romela Begajt në Botëror.

Zgjedhja e biznesmenit të njohur në krye të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes është pritur me pozitivitet nga të gjithë shtangistët, që ishin të pranishëm në këtë asamble zgjedhore. Zgjedhjet u organizuan pas dorëheqjes së Elez Gjozës, i cili u largua për shkak të disa skandaleve radhazi të peshëngritësve tanë, që pas garave e medaljeve rezultuan me doping.

Masllavica menjëherë pas zgjedhjes në krye të shtangës u shpreh se nuk e priste një fitore kaq të thellë dhe sa tashmë ka ardhur momenti të nisë nga puna për ta përmirësuar peshëngritjen në vendin tonë

Dopingu mbetet një pikë nevralgjike në platformën e presidentit të ri, i cili theksoi se do të kryhen teste rigoroze antidoping edhe në eventet kombëtare.

Top Channel