Liverpooli do ta kursejë futbollistin më në formë të momentit, në ndeshjen e kësaj fundjave në kampionatin anglez, Premier League, edhe pse kjo do të jetë një mungesë e rëndësishme në derbin e “Merseyside”.

Skuadra e trajnerit Jurgen Klopp do të presë analizat e detajuara mbi dëmtimin në kofshë të sulmuesit Mohamed Salah, pasi ky i fundit u detyrua të shkonte në spital pas suksesit fantastik “The Reds”-ave në Champions, ndaj Manchester Cityt.

Të shtunën, Liverpooli do të luajë derbin e qytetit kundër Evertonit, por futbollisti afrikan, me shumë gjasë do të lihet pushim, edhe nëse mjekët do të japin lejen që ai të aktivizohet qoftë edhe një pjesë loje.

Kështu, trajneri gjerman i “të kuqve” do ta ketë në formë optimale për ndeshjen e kthimit ndaj “Citizens” në “Etihad Stadium”, që vlen një vend në gjysmëfinalet e Championsit, apo 4 më të mirëve të Europës.

Mohamed Salah ka qenë në një formë të shkëlqyeshme për Liverpoolin, që kur zbarkoi nga Roma mes skepticizmit nëse do të linte shenjë në rikthimin e tij në Angli. Por, sulmuesi i kombëtares egjiptiane ka shënuar 29 gola në kampionat deri më tani.

Tifozët shpresojnë se ai do të jetë në “Goodison Park” të shtunën, por edhe pse renditja imponon kujdes, fokusi do të jetë në Champions, aty ku Salah do të thirret sërish “nën armë”.

Top Channel