Lazio, Tare: Nga Salzburgu do të veçoja Berishën dhe Dabbur

05/04/2018 22:19

Salzburgu ishte thjesht kundërshtari i radhës që shorti i hedhur në Nion të Zvicrës iu vendosi përballë italianëve të Lazios, në çerekfinalet e Europa League.

Por, përpara nisjes së sfidës së parë mes këtyre dy ekipeve, drejtori sportiv shqiptar i lacialëve, Igli Tare gjeti kohën të fliste për mediet e vendit të Apenineve mbi rivalin, por edhe merkaton.

“Salzburgu është një skuadër që e bazon lojën te grupi. Ata lidhen mirë mes reparteve e ushtrojnë presing të vazhdueshëm. Sigurisht kanë në përbërje lojtarë të shpejtë dhe nga ata që duket se po arrijnë kulmin e zhvillimit të tyre”, u shpreh Tare.

Në këtë aspekt veçoi dy lojtarë: 25-vjeçarin kosovar Valon Berisha dhe bashkëmoshatarin e tij izraelit, Munas Dabbur.

“Më pëlqen në veçanti Berisha, të cilin e ndjek prej kohësh tashmë, sepse më duket shumë i zoti. Por më pëlqen edhe Dabbur”, theksoi Igli Tare.

Nuk dihet nëse këto do të mbeten thjesht fjalë lavdërimi për ata që spikasin më shumë te kundërshtari austriak i Europa League, apo një tregues se drejtori sportiv i lacialëve ka piketuar pikërisht këta lojtarë si përforcime të mundshme të bardhekaltërve në merkaton e verës.

Mbetet të presim se ç’do të dhurojnë transferimet e fundsezonit, por ajo që dihet është se Lazios do t’i largohet De Vrij në mbrojtje dhe me shumë mundësi edhe mesfushori Milinkoviç-Saviç, aq shumë i kërkuar nga ekipet më në zë të Europës.

Sa u përket dy lojtarëve të Salzburgut të përmendur nga Tare, kosovari Berisha luan si mesfushor krahu, ndërsa izraeliti në rolin e sulmuesit që po spikat shumë këtë edicion me austriakët.

Top Channel