Hetohet për tjetërsimin e pronave, Malota i bashkohet Vllaznisë

05/04/2018 18:17

Mes personave që po hetohen për tjetërsimin e pronave në bregdetin e Lezhës është edhe futbollisti i Vllaznisë, Renato Malota.

Ndaj qendërmbrojtësit lezhjan u lëshua në fillim një urdhër-arrest, por disa ditë më vonë, vetë lojtari u paraqit në polici për të dhënë variantin e tij dhe nga gjykata është vendosur hetim në gjendje të lirë.

“Nuk kishte fakte të mjaftueshme për mua. Një vendim që ka ardhur ngaqë u konstatua se unë personalisht nuk kam asnjë firmë të hedhur në asnjë dokument për të cilin jam akuzuar dhe po ashtu, edhe certifikata e pronësisë nuk është tërhequr nga institucionet përkatëse. Po vërtetohet ajo që kam thënë prej fillimit se unë jam i pafajshëm në gjithë këtë histori”, deklaron Malota.

Me këtë vendim, lojtari i bashkohet grupit të Vllaznisë dhe do të jetë në shërbim të trajnerit Gjoka duke filluar që në ndeshjen ndaj Lushnjes. Ai është parë në qendrën stërvitore të shkodranëve, duke u përshëndetur me përzemërsi me shokët e skuadrës, stafin teknik dhe drejtuesit e klubit.

“Sot erdha sa për të takuar drejtuesit dhe shokët e ekipit dhe nesër do të jem në stërvitje dhe në dispozicion të stafit teknik”, tha Malota për faqen zyrtare të Vllaznisë.

Me këtë rikthim, shkodranët kompletohen akoma më shumë për takimin me Lushnjën pasi do të rikthehen edhe të pezulluarit Mersini, Gocaj dhe Sukaj, duke plotësuar formacionin e Gjokës.

Top Channel