Di Francesco i nervozuar: Barça nuk kishte nevojë për ndihmë

05/04/2018 01:28

Trajneri i Romës, Eusebio Di Francesco nuk e fsheh zemërimin e tij ndaj arbitrit të takimit mes verdhekuqve dhe Barcelonës. Italiani thekson se katalanët janë mjaftueshëm të fortë, ndaj arbitri nuk ka pse u vjen në ndihmë, në të tilla raste.

“Barcelona dihet se kush është dhe nuk ka nevojë për ndihmë. Por sot e ndihmuam ne dhe arbitri. Të mos vërshëllesh atë penallti ndaj Dzekos, është vërtetë e pashpjegueshme, pasi gjyqtari ishte shumë pranë dhe kishte pamje të plotë për të vlerësuar”, tha Di Francesco.

Trajneri i verdhekuqve gjithsesi vlerësoi lojën e skuadrës së tij, por evidentoi se ishin gabimet në momente të caktuara, ato që i kushtuan humbjen e thellë.

“Kur shikon rezultatin 4-1, duket sikur ka luajtur vetëm një skuadër. Gjithsesi duhet të falënderoj lojtarët e mi, që u vendosën mirë dhe arritëm t’i rezistojmë qarkullimit të dendur të katalanëve. Krijuam shumë raste ndaj Barçës dhe kjo nuk është e paktë, por ndaj tyre nuk të lejohet të shpërdorosh. Gjithsesi, kemi ende punë për të bërë dhe kjo është e sigurt”, deklaroi trajneri i Romës.

Top Channel