Deportimi “gylenistëve” nga Kosova, AP: Hetime për shkelje të të drejtave

05/04/2018 09:44

Avokati i Popullit në Kosovë deklaroi se deportimi i gjashtë shtetasve turq javën e kaluar është në kundërshtim me standardet ndërkombëtare.

Dyshimet se ndalimi dhe largimi i beftë i pesë pedagogëve dhe një mjeku, të konsideruar mbështetës të klerikut Fetullah Gulen përbënin shkelje të të drejtave të njeriut, e shtynë Hilmi Jasharin të nisë hetimet, në vazhdën e të cilave, siç pohoi për Radion Europa e Lirë, vëren se ligjet vendore për të huajt nuk janë zbatuar.

Nën arsyetimin se këta persona paraqesin rrezik për sigurinë kombëtare, autoritetet vendase fillimisht u revokuan të drejtën e qëndrimit në Kosovë e më pas i deportuan me urgjencë drejt Turqisë, në bashkëpunim me shërbimet turke të inteligjencës.

Kjo, sipas Jasharit , konsiderohet si një prej shkeljeve më të rënda që ka të bëjë me mbrojtjen nga keqtrajtimi, turpërimi, trajtimi ç’njerëzor dhe degradues, sipas nenit 3 të Konventës Europiane dhe aspektet procedurale të lidhura me zbatimin e tij.

“Jemi në fazën e mbledhjes së informacioneve nga të gjithë institucionet kyçe që kanë qenë të përfshira në këtë proces dhe po hetojmë atë që është më e rëndësishmja: vendimmarrjen në përputhje me standardet ndërkombëtare”, shpjegoi Avokati i Popullit.

Gjatë seancës së jashtëzakonshme të Parlamentit, të mbajtur të mërkurën, pikërisht për këtë çështje, deputët kërkuan llogari nga përgjegjësit e deportimit që ka dëmtuar, sipas tyre, imazhin e Kosovës.

Në fund të seancës, ata miratuan katër rekomandime, kryesori ndër të cilët është ngritja e një komisioni hetimor mbi zbardhjen e rastit. Votimit të rekomandimeve i parapriu një debat i gjatë, ku nuk munguan dhe përplasjet mes ligjvënësve.

LDK dhe VV e akuzuan hapur presidentin Hashim Thaçi si personi që dha urdhrin e këtij aksioni, dhe PDK, AAK e Nisma kërkuan përgjegjësi e informacion shtesë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA