Chelsea nuk redukton pagat, edhe nëse mbetet jashtë Championsit

05/04/2018 17:44

Chelsea është në vendin e pestë në klasifikimin e Premier League, ndërsa çështja e kualifikimit për në Champions është shumë e komplikuar për “blutë” e Londrës, pasi diferenca me vendin e katërt që mbahet nga Tottenhami është 8 pikë.

Por, pavarësisht kësaj, drejtuesit e klubit kanë vendosur që të mos penalizojnë financiarisht futbollistët, që do të thotë se nuk do të ketë reduktime të pagave të tyre, edhe nëse Chelsea mbetet zyrtarisht jashtë kompeticionit më prestigjioz për klube.

Lajmi bëhet i ditur nga tabloidi britanik “Daily Mail”. Kjo është një praktikë e zakonshme për disa klube, mes të cilave edhe Chelsea, ndërkohë që për të tjerët ndodh pikërisht e kundërta. Klubeve që kualifikohen në Champions u jepet një bonus.

Tablodi britanik flet edhe për çështjen “Hazard”, lojtar të cilin Chelsea është i vendosur ta mbajë në radhët e tij. Mesfushori belg është ende në pritje të ndonjë oferte interesante, sidomos nga Reali i Madridit, që ka shfaqur disa herë dëshirën për të blerë kartonin e futbollistit.

Për këtë arsye, drejtuesit e Chelseat kanë vendosur të rrisin pagën e Hazardit, për ta bindur atë të qëndrojë në kryeqytetin anglez. Mësohet se “blutë” janë gati ta paguajnë Hazardin me 17.9 milionë euro në sezon, një pagë kjo 6 mln euro më e lartë sesa ajo që përfiton futbollisti në kontratën aktuale, që skadon në vitin 2020.

Top Channel