Seanca e jashtëzakonshme, Kosova debaton për shtetasit turq

04/04/2018 18:43

Kuvendi i Kosovës diskutoi në një seancë të jashtëzakonshme mbi arrestimin e 6 shtetasve turq, të enjten e shkuar. Seanca u thirr me kërkesën e 40 deputetëve, firmat e të cilëve u mblodhën nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Në seancë, sidoqoftë, nuk ishin të pranishëm as kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe as kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli. Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti nuk i kurseu akuzat, si për kryeministrin Haradinaj, ashtu dhe për presidentin Hashim Thaçi.

“Më 26 mars, krerët e institucioneve me veprimin apo mosveprimin kanë shkelur rëndë ligjet dhe Kushtetutën. Më 29 mars kishte tejkalim të autorizimeve ligjore dhe kushtetuese dhe dështim të plotë të zinxhirit komandues. Prandaj duhet të ketë përgjegjësi të plotë në të gjithë zinxhirin komandues, të cilët kanë ekzekutuar apo kanë lejuar, me heshtje ose pjesëmarrje aktive, shkeljen e ligjeve dhe konventave ndërkombëtare”, tha Hoti.

Hoti shtoi se grupi parlamentar i LDK-së do të paraqesë për miratim një rezolutë, ku do të kërkojë sqarime dhe përgjegjësi mbi rastin, ndërsa përsëriti kërkesën për hetim parlamentar të çështjes. Në anën tjetër, edhe Memli Krasniqi, shefi i grupit parlamentar të PDK-së e ka cilësuar shqetësuese mosfunksionimin e hierarkisë institucionale dhe informimin vertikal në lidhje me veprimin.

“Kërkojmë nga Qeveria që ta njoftojë Kuvendin nëse janë respektuar procedurat ligjore dhe të drejtat e shtetasve turq të deportuar, në tërësi. Nëse kjo nuk ka ndodhur, duam të dimë se cilat janë masat që do të merren nga institucionet përgjegjëse”, tha Krasniqi.

Lëvizja Vetëvendosje, në anën tjetër ka akuzuar presidentin Thaçi për deportimin e 6 shtetasve turq, ndërsa deputetë nga grupet e tjera parlamentare e cilësuan ngjarjen antikushtetuese, që dëmton institucionet e vendit dhe imazhin e Kosovës.

Top Channel