Premier League, agjentët bëjnë “kërdinë”: 242 mln euro komisione

04/04/2018 18:38

Me 242 milionë eurot e shpenzuara vetëm sezonin e kaluar, për komisionet dhe ndërmjetësimet e agjentëve të futbollit në Premier League, mund të blihej një futbollist si Neymar, e madje edhe ndonjë goditje e bukur në merkaton e minutave të fundit.

Por, të gjitha këto parà kanë humbur në ruletën e kompanive që ndërmjetësojnë kalime të bujshme në futbollin anglez.

Raporti vjetor i Federatës së Futbollit mbi harkun kohor shkurt 2017-janar 2018 tregon se, mbretërit e vërtetë në vendin ku u shpik loja më popullore janë agjentët. Ata ndanë komisione në shifra rekord, madje e shtuan me 21% fitimin e sezonit paraardhës. Për të kuptuar peshën e tyre në miliona, mjafton të përmendet vetëm Liverpooli.

Klubi nga “Anfield Road” pagoi 30.7 milionë euro vetëm tek agjentët e Van Dijk, Salah dhe Chamberlein. Në vendin e dytë në futbollin anglez për shpenzimet e agjentëve është Chelsea, e në shkallën më të ulët të podiumit është Manchester City.

Surprizë e vërtetë në Angli është edhe Watfordi, një skuadër me pretendime modeste që shpenzoi 15 milionë euro vetëm për pagesa ndërmjetësuese në një vit.

Top Channel