“Luftë me sulltanin”, shkarkimet e Haradinajt nuk u mbështetën nga Thaçi

04/04/2018 14:20

Reagimi i menjëhershëm Haradinajt pas arrestimit dhe deportimi të rrufeshëm të 6 gylenisteve e ktheu kryeministrin kosovar në shënjestrën e zemërimit të presidentit turk Erdogan për largimin e ministrit të Brendshëm dhe kreut të shërbimit sekret, ndërsa lavdëroi nga ana tjetër presidentin Hashim Thaçi.

Shefi i ekzekutivit e sqaroi në mbledhjen e qeverisë arsyen zyrtare të këtyre shkarkimeve që nuk kanë gjetur mbështetjen e kryetarit të shtetit.

Gjysma e punës është kryer kur u dha vendimi për lirimin nga detyra të Driton Gashit, shtoi më tej Haradinaj. Pjesa tjetër, vazhdoi ai është procedurë formale dhe i takon presidentit.

Ky i fundit vazhdon të heshtë rreth largimit të drejtuesit të AKI-së dhe nuk pranoi t’i përgjigjet pyetjeve të gazetareve në lidhje me temën më të nxehtë të momentit në Kosovë.

Për ngërçin e krijuar, sipas mediave kosovare, një koment e ka pasur edhe zëvendës-kryeministri serb Rasim Lajiç, i cili thotë se arrestimet e pak ditëve më parë dhe zhvillimet që i pasuan, shënojnë kulmin e asaj që sipas tij vlonte prej kohësh: një konflikt i fshehur mes Thaçit e Haradinajt.

Në këndvështrimin e numrit dy të qeverisë serbe, marrëdhëniet e Prishtinës me Turqinë do të varen nga rezultati se cili prej tyre do të dalë fitues.

Ndalimet u kritikuan nga BE-ja, SHBA e vetë Gyleni që e cilësoi arrestimin dhe deportimin një “akt banditizmi”, por Erdogani është mese i kënaqur nga i pari rast i këtij lloji në Europë.

Ai shënon një precedent që sipas disa mediave online turke, u imitua dhe nga Gaboni me arrestimin e paktën 5 shtetasve turq, edhe ata punonjës të një grupi shkollash të lidhura me klerikun Gylen.

Ndërkohë, gjykata greke e apelit në Larisa refuzoi kërkesën e Ankarasë për ekstradimin e një pjesëtari të Partisë Fronti Revolucionar Popullor DHKP-C, me argumentin se nuk ka asnjë garanci se në Turqi, Ali Ercan Gokoglu-se do ta presë një gjykim i drejtë e i ndershëm.

Gjykatat greke kanë hedhur poshtë kërkesa të ngjashme për disa anëtare të këtij grupi, një prej të cilëve besohet se është përgjegjës për dy sulme me bomba në 2013-tën që shenjestruan Ministrinë e Drejtësisë dhe selinë e partisë AK të Erdoganit në Ankara.

Top Channel