Kupa e Shqipërisë, Flamurtari synon fitoren kundër Skënderbeut

04/04/2018 15:41

Rezultatet në fazën e tretë të kampionatit për Flamurtarin kanë qenë tepër negative duke sjellë edhe humbjen e pretendimeve për vendin e dytë, që do t’u siguronte Europën.

Por këtë të mërkurë vlonjatët do të përballen me kryesuesit e kampionatit, Skënderbeun, për një vend në finalen e Kupës së Shqipërisë.

Të dy skuadrat janë në situata mjaft problematike, teksa vlonjatët vuajnë mungesën e rezultateve, pasi nuk fitojnë prej afro dy muajsh, korçarët janë të shqetësuar nga vendimi i UEFA-s, për t’i pezulluar për 10 vite.

Skuadra e Shpëtim Duros është dukshëm më e motivuar në këtë takim, pasi synon Europën nëpërmjet Kupës, duke qenë se në kampionat i ka ndërlikuar pozitat.

Nga ana tjetër, korçarët kishin si synim rikthimin e titullit kampion dhe janë tërësisht brenda objektivit të tyre, ndonëse Ilir Daja nuk e ka fshehur asnjëherë se dëshiron të fitojë të dy trofetë.

Top Channel