Për të përcaktuar skuadrat që do të shkojnë në finalen e Kupës së Shqipërisë do të duhen ndeshjet e kthimit, pasi 90 minutat e zhvilluara këtë të mërkurë mbajtën ende të gjalla dilemat për kualifikimin.

Vetëm një gol u shënua në dy gjysmëfinalet e zhvilluara në Korçë dhe në Laç. Skënderbeu humbi 0-1 ndaj Flamurtarit, që tani kthehet në favorit për takimin e kthimit, në trofeun e dytë për nga rëndësia në futbollin shqiptar.

Gjergji Muzaka kishte rastin të prishte ekuilibrat me një penallti pas gjysmë ore lojë, por Nurkoviç shpëtoi portën. Kur pritej që sfida të mbyllej barazim, Flamurtari shënoi me brazilianin Danilo Alves, në zhvillimet e një goditjeje këndi.

Ndërkohë, me rrjeta të paprekura përfundoi ndeshja e parë mes Laçit dhe Kukësit. Duket se finalistja mes dy ekipeve veriore do të vendoset në ndeshjen e kthimit, që do të luhet më 18 prill në “Zeqir Ymeri”. Finalja e kupës do të zhvillohet më 24 maj.

Top Channel