Kosova ka bërë progres në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, por duhet të punohet edhe më shumë, ndërkohë që vendi i ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave. Ky është konkluzioni i krerëve të shtetit, në takimin e Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit.
“Konsideroj se kemi bërë hapa konkret në forcimin e luftës kundër krimit të organizuar e korrupsionit, si dhe përmbushjes së kriterit të fundit për liberalizimin e vizave nga Bashkimi Europian. Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave, nga 95 që i janë parashtruar Kosovës, me kalimin e Demarkacionit dhe nga vizita që kam zhvilluar në Bruksel kemi një përfundim të përbashkët se Kosova ka plotësuar kriteret e nevojshme, të domosdoshme për liberalizimin e vizave”, tha Thaçi.
Kryeministri Ramush Haradinaj, në anën tjetër, nënvizon se në fokus të qeverisë së tij do të vazhdojë të mbetet korrupsioni.
“Vërtetohet që Kosova është vërtet serioze në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, kundër të gjitha llojeve të krimeve, të kërcënimeve të shoqërisë tonë. Po ashtu, në këtë proces kemi garanci se do të jemi në vazhdimësi të suksesshëm, jo vetëm një akt i sotshëm, por një proces i garantuar, i suksesshëm, për shkak se po ndodh konsolidimi i institucioneve të rendit dhe të ligjit”, tha Haradinaj.
Në takim merrnin pjesë edhe kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi, ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ministrja e Integrimit Europian, Dhurata Hoxha, si dhe zyrtarë të tjerë. Takimi i Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit u thirr nga presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi.
Top Channel