Kosova, kundër taksës. Ministri Pal Lekaj i kërkon shpjegime Gjiknurit

04/04/2018 12:11

Ministri i Infrastrukturës në Kosovë, Pal Lekaj, një prej zërave të parë të ngritur përtej kufirit tonë verior kundër taksës në Rrugën e Kombit, është takuar me ambasadorin shqiptar në Prishtinë, Qemal Minxhozi, të cilit i shpjegoi se nuk ka marrë ende asnjë përgjigje nga homologu shqiptar, Gjiknuri, lidhur me taksën që ka shkaktuar reagime të forta si në Shqipëri, ashtu dhe në Kosovë.

“E diskutuam me ambasadorin letrën zyrtare drejtuar ministrit të Infrastrukturës dhe Energjetikës, Damian Gjiknuri, si dhe për mungesën e përgjigjes ndaj kësaj letre. Ramë të dy dakord se hapat e mëtejshëm, – tha Lekaj përmes një postimi në Facebook, – duhet të kryen në pajtim të plotë dhe se Shqipërisë e Kosovës, si vende vëllazërore iu duhen marrëdhënie me ndikime pozitive për zhvillimin e gjithanshëm”.

Që kur u mësua në fillim vendosja e taksës së shumëkundërshtuar, Lekaj pohoi përmes një lidhjeje telefonike për Top Channel se, ajo është mjaft e lartë dhe se do të ketë pasoja për të dyja palët.

Ai sqaroi se për këtë arsye do të kontaktonte me Gjiknurin. Taksa, sipas Lekajt do të sjellë rënie të remitancës në të dyja anët e kufirit, duke qenë se Shqipërinë, sidomos në verë e frekuentojnë shumë qytetarë të Kosovës, ndërsa përmendi edhe penalizimin e biznesit.

Top Channel