Barça shkatërron Romën, Liverpool “fshin” Manchester Cityn

04/04/2018 22:37

Mbrëmja e dytë magjike e çerekfinaleve të futbollit më elitar në kontinentin e vjetër dhuroi spektakël dhe gola të shumtë, por rezultatet ndoshta nuk ishin edhe aq surprizues.

Në atë që shënoi edhe “derbin” e parë anglez në një fazë të tillë të Championsit, mes Liverpoolit dhe Manchester Cityt, pavarësisht dominimit total të kampionatit anglez nga “Citizens”, të besuarit e Pep Guardiolës duket se dorëzuan armët shumë shpejt përballë “të kuqve” të Jurgen Kloppit.

Egjiptiani më në formë i momentit i ekipit nga “Anfield Road”, Mohammed Salah zhbllokoi rezultatin pas 12 minutash lojë, ndërsa në një hark thuajse të barabartë prej 9 dhe 10 minutash distancë prej tij, Liverpooli shënoi edhe dy herë të tjera me anë të Oxlade-Chamberlein dhe Mane.

30 minuta lojë mjaftuan për vendasit, që “shkërmoqën” kështu të arratisurit e Premier League, pavarësisht se këta të fundit tentuan nga ky moment e deri në fundin e ndeshjes të shënonin të paktën golin e shpresës në fushë kundërshtare, që do t’i ndihmonte për takimin e kthimit.

Ndërkohë, në “Camp Nou” të Katalonjës, ashtu siç pritej triumfoi superfuqia Barcelonë ndaj një Rome, që duket se kishte një detyrë tejet të vështirë. Romanët, jo vetëm duhej të kujdeseshin për të frenuar Messin dhe shokët e tij, pa ia dalë mbanë, por e çuan plot dy herë topin në portën e tyre të mbrojtur nga Alisson.

De Rossi në minutën e 38, në përpjekje për të mos lejuar topin të përfundonte në këmbët e “pleshtit” argjentinas, shënoi vet në portën e tij. Edhe goli i dytë ishte sërish autogol, këtë herë në minutën e 55-të nga greku Manolas, pas një rrëmuje në zonën e rreptësisë dhe në mungesë të fatit.

Ndërkohë, 4 minuta më pas do të ishte fati i Gerard Pique që të linte mbrojtjen e të shënonte pas asistit të Suarezit. Por, atëherë kur Roma u duk e dorëzuar do të vinte goli i Dzekos, 10 minuta nga fundi i kohës së rregullt, për të rindezur shpresat për verdhekuqtë. Gjithsesi kjo ishte vetëm një flakë kashte, pasi Suarez do të mbyllte llogaritë me golin e katërt në minutën e 87.

Takimet e kthimit do të luhet pas një jave në “Etihad Stadium” të Manchesterit dhe “Olimpico” të Romës.

FOTO GALERI
2/24

Top Channel