Risia “e çmendur” në Sudan, një trajnere femër për ekipin Al Ahly

03/04/2018 18:51

Salma al-Majidi është gruaja e parë që ka shkruar një kapitull të ri në historinë e futbollit në Sudan, aspak për arritje të rëndësishme apo për trofe, por sepse është e para që drejton një ekip meshkujsh, në një disiplinë që në vendin afrikan është ekskluzivisht për burra.

27-vjeçarja stërvit skuadrën e Al Ahly të qytetit Al Gadaref dhe ka ambicie të qarta për të ardhmen, pavarësisht paragjykimeve.

“Futbolli është dashuria ime e parë dhe e fundit, por për ne femrat këtu në Sudan është e pamundur që të luash në një skuadër profesioniste. Burrat këtu kanë një koncept antik të femrës. Për ata, femra duhet të qëndrojë brenda 4 mureve të shtëpisë dhe të bëjë vetëm punë”, tha Salma al-Majidi, trajnere futbolli.

Pavarësisht kritikave, trajnerja mbetet stoike në qëndrimin e saj për të vazhduar karrierën, në një vend ku sporti konsiderohet luks mes 1.001 halleve dhe varfërisë ekstreme.

Një tjetër grua, që ka merituar vlerësime në futbollin sudanez, ka qenë më parë Mounira Ramadan, e cila në vitet ’70 arbitroi disa ndeshje në futbollin e meshkujve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA