Reagimi i presidentit turk Recep Tayyip Erdogan pas deportimit të shtetasve turq nga Kosova është shqetësues, por në vazhdën e prirjeve të tij autokratike brenda dhe jashtë vendit.

Kështu u shpreh për Zërin e Amerikës analisti Daniel Serwer, studiues në Qendrën për Marrëdhënie Transatlantike në Universitetin Johns Hopkins.

‘Masat që po ndërmerr regjimi turk pas tentativës së dështuar për grusht shteti janë shqetësuese për Uashingtonin dhe për këdo tjetër që beson tek të drejtat e njeriut’, ishte komenti i Serwer.

Lidhur me rrethanat e deportimit analisti tha se do të ishte ishte më mirë të priteshin rezultatet e hetimeve, sidomos në kushtet kur kryeministri Ramush Haradinaj thotë se nuk ishte në dijeni të asaj që po ndodhte.

Për rastin reagoi edhe analisti për çështjet e Ballkanit në Qendrën Wilson, Ross Johnson. Qeveria e Kosovës sipas tij bëri veprimin e duhur me shkarkimin e Ministrit të Brendshëm dhe Shefit të Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës për rolin e tyre në arrestimin dhe deportimin e shtetasve turq.

Deportimet ai i cilësoi si të paligjshme. Sa i përket komenteve të Erdogan ndaj qeverisë së kosovës, analisti thotë se presidenti turk ka shkuar shume larg.

Në fundjave, Erdogan kërcënoi Haradinajn se do të paguante për, siç u shpreh ai, mbrojtjen e puçistëve. Ramush Haradinaj, iu kundërpërgjigj të hënën komenteve të presidentit të Turqisë, duke thënë se askush nuk mund të përzihet në punët e brendshme të Kosovës dhe se këtë duhet ta dinë të gjithë.

Top Channel