Kantautori i njohur shqiptar Françesk Radi u nda nga jeta një vit më parë.

Miq, të afërm dhe dashamirës të muzikës së tij, u mblodhën sot pranë kodrave të Liqenit Artificial, për ta përkujtuar, në nder të të cilit u vendos dhe busti i artistit, në vendin që ai deshi aq shumë në këtë qytet, ku me kitarën e pandashme krijoi meloditë e para.

Në ceremoninë e organizuar me këtë rast, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u shpreh se kantautori i njohur i muzikës shqiptare, përmes tingujve dhe teksteve të tij, ishte burim frymëzimi për shumë të rinj.

“Franko ka ndryshuar shumë jetë njerëzish, ka prekur shumë individë e ka frymëzuar shumë të rinj. Për shumë njerëz ai ka qenë edhe arsye mbijetese në një situatë shumë të vështirë, ku fjala e lirë, muzika, opinioni, bindjet e lira kanë qenë sfidë për Shqipërinë. Vetëm ata që janë trima të vërtetë marrin guximin të sfidojnë në momentet më të vështira status-quon, realitetin, gjërat që ndodhin, të provokojnë një debat, atëherë kur të bëje një gjë të tillë, të kushtonte jetën. Ai i kushtoi vitet më të bukura të jetës, e megjithatë detyra e gjeneratës sonë, e një brezi të ri që merr stafetën nga një gjeneratë tjetër, është të mos harrojë dhe të kujtojë”, tha Veliaj.

“Për mua, për familjen, për të gjithë adhuruesit e Frankos është një kënaqësi e madhe që e lemë mes njerëzve. Ai do të mbahet mend si kantautori i parë shqiptar, si i riu që solli risinë në muzikën shqiptare, që futi modernen, për të cilën nga diktatura u dënua afro tre dekada, iu hoq e drejta e krijimtarisë në fushën e muzikës së lehtë, pa ia shuar kurrë pasionin për muzikën, sepse edhe në Pukë, edhe në Fushë-Arrëz, Frankoja punoi me të njëjtin pasion. Është një kujtim vërtet i bukur, faleminderit Bashkisë së Tiranës, faleminderit z. Veliaj për gatishmërinë. Është një mrekulli”, u shpreh mes emocionesh Tefta Radi, bashkëshortja e kantautorit.

Kryebashkiaku Veliaj shtoi se busti i artistit të njohur në Parkun e Liqenit do të shërbejë edhe si një nxitje për sjelljen qytetare.

“Jam shumë i lumtur që ky ‘xhevahir’, ashtu siç ishte në të gjallë, është sot një stoli për Parkun madh të Tiranës, sepse Franko mbillte përditë qytetari”, tha ai. Mandej, shtoi se fushata e biçikletave që do të nisë së shpejti, e ka kolonën e saj zanore. “M’u kujtua kënga e Frankos, “Biçikleta”, dhe mendoj: Asgjë nuk nisi sot! Gjithmonë, ka pasur njerëz që këto ide avangarde për pemë, biçikleta, qoftë me këngë, qoftë me një frymëzim tjetër, i kanë shtyrë në shoqërinë tonë. Ndaj, më vjen mirë që tashmë e kemi edhe ne kolonën zanore për fushatën e biçikletave me ‘Biçikletën’ e Frankos”, tha Veliaj.

Kreu i Bashkisë siguroi se Amfiteatri i rinovuar, një nga monumentet më të dashura të Parkut të Liqenit, falë punës së Bashkisë së Tiranës, do të rikthehet si skena më e madhe e muzikës, ku qytetarët mund të shijojnë artin e vërtetë pranë natyrës.
Më pas, familjarët mbollën edhe disa pemë pranë bustit, në nderim të figurës së kantautorit, i cili njihet ndryshe edhe si këngëtari i liqenit. Pjesë e mbjelljes ishte dhe kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë, znj. Ines Muçostepa, për të kontribuar në shtimin e gjelbërimit të Parkut.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel