Messi, makth i portierëve. Alisson, “shënjestra” e re e tij

03/04/2018 13:14

Kur përmendet emri i Lionel Messit, të gjithë portierët dridhen; edhe ata që janë konsideruar apo konsiderohen më të mirët si Cech, De Gea, Casillas, Van der Sar, Neuer.

I fundit nga emrat e mëdhenj të këtij pozicioni që i kishte rezistuar yllit të Barcelonës ishte Gianluigi Buffon, por në 12 tetorin e vitit të kaluar edhe ai u thye nga Messi që shënoi 2 nga 3 golat e fitores së Barcelonës ndaj Juventusit. Messi shënoi ndaj Buffon në tentativën e tij të pestë në 5 ndeshje që këto dy skuadra kanë luajtur.

Ndaj Neuer që e hipnotizoi në Botërorin 2014 shënoi në tentativën e 4 në gjysmëfinalen e sezonit 2014/2015. Ai që e bëri të vuajë më shumë Messin ishte Petr Cech, të cilin argjentinasi e kaloi vetëm në vitin 2016 kur vishte fanelën e Arsenalit.

Për sa i përket pjesës tjetër të emrave të mëdhenj të portës që janë ndëshkuar nga 5 herë fituesi i Topit të Artë, lista është e gjatë; 9 gola në 13 ndeshje nga Courtois, 4 në 13 ndeshje nga De Gea, por ai që ka pësuar më shumë nga argjentinasi është Casillas me 18 gola në 26 ndeshje te El Clasico, 2 nga këto në Ligën e Kampioneve. Golat më me peshë i ka pësuar Van Der Sar 2 të tillë në finalet e Ligës së Kampioneve 2009 dhe 2011 kur Barcelona u përball me Manchester United per te fituar trofeun.

Tani i takon portierit të Romës, Alisson që të përballet me yllin e Barcelonës. në fakt do të jetë hera e dytë që Alisson do të jetë kundër Messit, herën e parë ai kishte veshur fanelën e Brazilit kur ky i fundit mundi Argjentinën 3-0 në eliminatoret e Botërorit me Alisson që bëri 2 ndërhyrje në atë ndeshje kundër Biglias dhe një tjetër kundër vetë Messit.

Këtë radhë luhet në Ligën e Kampioneve dhe në Camp Nou ku Messi ka vënë diktatin e tij prej vitesh. Ajo që mund ta ndihmoje Alisson në këtë pikë është fakti që është brazilian, pasi Messi në 5 ndeshje të Ligës së kampioneve ku është vënë përballë portierëve brazilianë, në 3 raste nuk ka mundur të shënojë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA