“Në Kosovë nuk mund të vidhen njerëz”. Kryeministri Ramush Haradinaj ka folur për Zërin e Amerikës në lidhje me përplasjen e tij me Presidentin turk, Recep Taip Erdogan.
“Këta njerëz janë vjedhur nga Kosova dhe kjo gjë nuk mund të përsëritet më”, vijoi ai.
Haradinaj thotë se nuk i kupton reagimet e Erdoganit, ndërsa mbrojti vendimet e marra për shkarkimin e ministrit të Brendshëm dhe të kreut të Inteligjencës.
“Unë nuk kam qenë i informuar prej tyre ndaj edhe kam shkarkuar ministrin e Brendshëm dhe kreun e AKI-së”, vijoi ai.
“Ne nuk ndërhyjmë në punët e brendshme të Turqisë. Këto janë punë të brendshme tona edhe askush nuk do të ketë vendimmarrje në punët e brendshme të Kosovës. Ne jemi të kujdesshëm edhe si popull shqiptar jemi popull i respektueshëm. Mirëpo, gjithashtu, gjithkush duhet të dijë kufijtë e vet”, thotë Kryeministri i Kosovës.
Kryeministri i Kosovës përjashton mundësinë që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme në rastin hipotetik të daljes së Listës Serbe nga koalicioni qeveritar.
“Nuk e shoh vendin që të shkojë drejt zgjedhjeve të reja. Nuk jemi as të gatshëm”, deklaroi ai.
Sa për bashkësinë e komunave serbe, ai thotë se kjo bashkësi do të ngrihet sipas ligjeve dhe Kushtetutës së Kosovës.
Top Channel