Sfida me Barçën, Roma shpreson te njëri mes Nainggolan dhe Pellegrinit

02/04/2018 19:04

Eusebio Di Francesco ka marrë sinjale pozitive nga Radja Nainggolan, në seancën stërvitore të kësaj të hëne, në prag të ndeshjes së rëndësishme me Barcelonën në Champions League.

Në fakt, trajneri i Romës vendosi që ta grumbullojë mesfushorin belg për këtë ndeshje, ashtu sikurse edhe Pellegrinin, me shpresën që njëri nga këta dy lojtarë të riaftësohet në kohë për këtë përballje me gjigantët katalanas.

Di Francesco do të marrë vendimin përfundimtar për Nainggolanin e Pellegrinin vetëm pas seancës së fundit stërvitore. Ai që nuk ia doli mbanë të jetë gati për ndeshjen e mesjavës ishte Cengiz Under, që do të qëndrojë në Romë.

Ndërkohë, verdhekuqtë duket se mezi po presin që të luajnë përballë Barcelonës, teksa idetë i kanë të qarta: duan të bëjnë historinë, siç e deklaroi dhe El Sharaawy.

“Të gjithë ëndërrojnë të luajnë sfida të tilla – tha El Sharaawy. – Shpresojmë që të marrim një rezultat pozitiv në Barcelonë, për të ndezur tifozët tanë në ndeshjen e kthimit. Të gjithë thonë se nuk jemi favoritë dhe kjo është e vërtetë. Por, edhe në fazën e grupeve askush nuk na shihte fitues të grupit tonë, kështu që duhet të harrojmë se çfarë mendojnë njerëzit”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA