Rikthehet “Yllka” dhe “Fatosi”

02/04/2018 14:35

Dashuria e parë e çdokujt që bie në kontakt me librin, është ilustrimi. Është ilustrimi me figura ai që tërheq vëmendjen e fëmijës, kur ende ai nuk di të lexojë e të kuptojë tekstin e një libri, brendinë e së cilit e përcjell ilustrimi.

Imazhet e revistave të para si: “Yllka”, ‘Fatosi’ apo ‘Horizonti’ e deri tek librat me ilustrime, vijnë në një ekspozitë të veçantë me MHK.

“Ekspozita përfshin një hark kohor prej mëse 40 vitesh, që nga ilustrimet e para të autorëve të revistave periodike që dilnin për fëmijë, deri tek kopertinat dhe ilustrimet e para të librave për fëmijë. Për këtë arsye përbën një event me vlera të veçanta”, thotë Klement Zoraqi, kurator.
Sot fuqia e ilustrimit në libra, është zbehur ndjeshëm.

“Besoj se do jetë një nxitje shumë e madhe për shtëpitë botuese që janë të vetmet që mund ta nxisin ilustrimin shqiptar, pasi ka filluar të venitet, të zhduket, sepse në përgjithësi shtëpitë botuese marrin ilustrime të gatshme. Dikur pothuajse të gjithë librat ishin të ilustruara, ose të paktën kishte kopertina që bëheshin nga ilustrues shqiptarë. Në këtë kuptim them që duhet të rivitalizohet edhe një herë”, thotë piktori Gazmend Leka.

“Le të shërbejë kjo ekspozitë edhe si një kujtesë, edhe si nxitje për një dinamikë të re, për një bashkëpunim të ri. Libri pa ilustrime, sidomos libri për fëmijë pa ilustrime, duket i varfër, nuk ka fuqinë dhe bukurinë e tij të vërtetë”, thotë botusi Petrit Ymeri.
Ilustrimet e prezantuara do të qëndrojnë të ekspozuara në MHK deri në datën 8 prill.

Top Channel