Kjo është lëvizja më e fundit e tensioneve të krijuara mes dy ekonomive më të mëdha në botë, që ekspertët druajnë se mund të kthehet në luftë tregtare.
Qeveria kineze tha se tarifat e vendosura mbi 3 miliardë mallra amerikane do të vihen në zbatim këtë të hënë, duke prekur 128 produkte në total, që nga mishi i derrit, produkte të tjera të mishit, fruta dhe tuba çeliku.
Pekini thotë se sanksionet e reja ndaj 128 produkteve amerikane, të propozuara 10 ditë më parë, vijnë si përgjigje ndaj tarifave që ka vendosur Presidenti Trump mbi importin e çelikut dhe aluminit nga Kina dhe nga vende të tjera.
Por Trump po ndërmerr edhe masa të tjera, specifikisht kundër Kinës, tarifa që arrijnë deri në 50 miliardë dollarë në vlerë produktesh. Kjo erdhi pas një hetimi të kryer nga administrata e tij për vjedhjen e pronës intelektuale të kompanive amerikane.
Administrata e presidentit Trump tha se këto tarifa do të ndëshkojnë industritë kineze të aviacionit, teknologjisë dhe prodhimit të makinerive, por nuk ka njoftuar se cilat produkte do të goditen në veçanti.
Gjithashtu, tarifat nuk do të vihen në zbatim menjëherë, pasi administrata do shqyrtojë komentet publike për 30 ditë, në lidhje me propozimet e bëra.
Robert Lighthizer, Përfaqësues Amerikan i Tregtisë, tha për CNBC se periudha për komente publike duhet të jetë 60 ditë.
Ndërkohë, Sekretari i Thesarit, Steven Mnuchin, tha se SHBA dhe Kina po bisedojnë në prapaskenë për të shmangur ndonjë përshkallëzim të mundshëm. Është e paqartë se si do të reagojë Kina ndaj masave agresive. Tani për tani, Pekini është përqendruar te kundërpërgjigjja ndaj tarifave të çelikut dhe aluminit.
Ministritë kineze të tregtisë dhe financave thanë të dielën se autoritetet po vendosin tarifa për 15% të produkteve amerikane, si frutat, arrorët, vera dhe tubat e çelikut, si për të rritur me 25% tetë produkte të tjera, mes të cilave janë mishi i derrit dhe alumini i ricikluar.
Këto produkte janë vetëm një përqindje e vogël e këmbimeve tregtare midis dy vendeve, që arrijnë në qindra miliarda dollarë në vit. Por vendosja e tarifave është lajm alarmant për industritë e prekura.
Këshilli Kombëtar Amerikan i Prodhuesve të Mishit të Derrit tha se masat do të kishin ndikim të madh në zonat rurale të Amerikës. Industria e mishit të derrit kishte shitur 1.1 miliardë dollarë produkte në Kinë gjatë vitit të shkuar, duke e bërë tregun e tretë më të madh për eksport.
Kina është e pakënaqur për tarifat e presidentit Trump mbi çelikun dhe aluminin, të cilat ai i justifikoi me rreziqe të sigurisë kombëtare për SHBA-të. Për Pekinin, ky është një abuzim i rregullave botërore të tregtisë.
Pasi shpalli tarifat, Shtëpia e Bardhë premtoi se shumë aleatë do të bënin përjashtim nga masat e reja, si Kanadaja, Meksika, BE-ja dhe Koreja e Jugut.
Ministria kineze e Tregtisë tha në një deklaratë të dielën se këto përjashtime “shkelin rëndë” rregullat e Organizatës Botërore të Tregtisë, të cilat i ndalojnë diskriminimet tregtare midis vendeve anëtare të organizatës.
Kina shpresonte që SHBA-të do të tërhiqeshin sa më shpejt nga tarifat e vendosura, në mënyrë që produktet midis Kinës dhe SHBA-ve të ktheheshin në vijën normale.
Kina ka përsëritur vazhdimisht që nuk do luftë tregtare, por gjithashtu ka paralajmëruar se do të kundërpërgjigjet me vendosmëri për të mbrojtur interesat e veta.
Në një opinion të botuar të hënën, agjencia zyrtare kineze e lajmeve, Xinhua, paralajmëronte se planet e Trump-it për masa të tjera tregtare ishin një lojë e humbur bixhozi që do të dëmtonte më shumë ekonominë amerikane.
“Tarifat e Trump-it jo vetëm që do të pengojnë zhvillimin e mëtejshëm të mirëqenies së SHBA-ve, por do të bëhen pengesë për popullin amerikan, duke rritur koston e jetesës, si dhe do të shfaqin një kërcënim të rëndë në sistemin botëror të tregtisë”, thoshte artikulli.
Trump ka kohë që e akuzon Kinën se po vjedh vende pune amerikane me praktikat e padrejta tregtare. Ai ka premtuar ta ulë deficitin e madh tregtar të SHBA-ve mbi mallrat kinezë, që vitin e shkuar arriti 375 miliardë dollarë. Por ekonomistët kanë paralajmëruar se ka pak gjasa që këto tarifa ta arrijnë këtë qëllim, e madje mund të dëmtojnë ekonominë vendase. Deri tani, asnjëra palë nuk është tërhequr.
Ekspertët thonë se presin kundërpërgjigje të tjera nga Kina, pasi administrata e presidentit Trump të japë detaje për produktet që do të përfshijë në listën e produkteve që shkon 50 miliardë dollarë.
Arthur Kroeber, themelues i “Gavekal”, një firmë për kërkime ekonomike, parashikoi se masat e ardhshme kineze do të përqendrohen mbi eksportet bujqësore të Amerikës, të cilat prodhohen në shtetet ku Trump ka marrë më shumë vota.
“Qasja e Kinës është për të treguar se do t’i bëjnë ballë SHBA-ve, por pa kaluar caqe që rrezikojnë të trazojnë sistemin botëror të tregtisë”, sipas Kroeber-it. “Kina do të pozicionohet si ‘personazhi i mirë’ në ekonominë botërore, duke mbrojtur rregullat e lojës nga sulmet e paligjshme të Trump-it”, shkroi ai.
Daniel Shane, CNN Money. Kontributorë, Serenitie Wang dhe Ivan Watson
Top Channel