Një propozim i Departamentit të Shtetit për t’u kërkuar vizitorëve të dorëzojnë edhe profilet e rrjeteve shoqërore gjatë aplikimit për vizë në SHBA mund të ndikojë rreth 15 milionë persona. S’mund ta lejojmë të ndodhë pa luftuar.
T’u kërkosh vizitorëve se ç’kanë shkruar në jetën e tyre të rrjeteve shoqërore për pesë vitet e fundit mund të mos jetë mënyra më e mirë për të ndaluar rënien e turizmit në SHBA.
Donald Trump e ka bërë aq mirë punën për ta bërë Amerikën prapë të madhe, sa asnjeri me mend në kokë nuk dëshiron ta vizitojë më. Turizmi ka pësuar atë që quhet “Rënia Trump”, me numrin e vizitorëve ndërkombëtarë në rënie të thellë që nga dita që Trump mori zyrën në Shtëpinë e Bardhë.
Tani duket se administrata e presidentit Trump ka ndërmend ta ulë edhe më tej numrin e vizitorëve. Ideja më e fundit gjeniale e qeverisë është që t’u kërkojë atyre që duan të vizitojnë Amerikën pesë vitet e fundit të veprimtarisë në rrjete shoqërore.
Dhe kjo nuk është gjë e re: që në fund të vitit 2016, administrata Obama nisi të mbledhë informacion rreth profileve në rrjete shoqërore për disa nga vizitorët që vinin në SHBA. Administrata e presidentit Trump solli kontrolle më të ashpra për sistemin e vizave, duke u dhënë mundësinë zyrtarëve të kërkonin informacione për rrjetet shoqërore vetëm kur “ky informacion nevojitej për të vërtetuar identitetin apo për të bërë kontrolle më të thelluara për hir të sigurisë kombëtare”. Megjithatë, propozimi i fundit është edhe më i gjerë; sipas një propozimi të dorëzuar nga Departamenti i Shtetit këtë të enjte, shumicës së vizitorëve do t’u kërkohet të japin identitetet e tyre në rrjetet shoqërore. Kjo pritet të ndikojë rreth 710,000 emigrantë që aplikojnë për viza dhe 14 milionë aplikues jo-emigrantë.
Unë nuk është se jam kundër kontrollit nëpërmjet rrjeteve shoqërore. Nëse dikush ka gjëra të rrezikshme në historikun e rrjeteve shoqërore, duhet të mos lejohet të bëjë gjëra si, për shembull, të bëhet president i SHBA-ve. Të shkruash në Twitter se gratë që abortojnë meritojnë varjen, duhet të mjaftojë që të mos të lejohesh të shkruash te “Atlantic”, për mendimin tim.
Por a duhet lejuar qeveria amerikane të kontrollojë rrjetet shoqërore të çdo vizitori? Në asnjë mënyrë! Në radhë të parë sepse s’ka kuptim. Ai që po planifikon sulme terroriste, s’besoj se do të shkruajë në Twitter “mezi pres të martirizohem, LOL”, apo të vërë foto komike nga ISIS. Dhe nëse i bën këto gjëra, jam e sigurt që Agjencia e Sigurimit Kombëtar ka marrë masa që tani për t’i përgjuar.
Dhe ky mendoj se është thelbi këtu. Qeveria s’ka nevojë t’u kërkojë njerëzve të dhënat e rrjeteve shoqërore në mënyrë që t’i kontrollojë. Veç Kinës, ndoshta, SHBA-të janë vendi me sistemin më të fuqishëm të përgjimit. Kjo edhe falë pushtetit më të zgjeruar që i dha vetes administrata Obama, në lidhje me përgjimet. Ky propozim i ri s’ka të bëjë fare me sigurinë kombëtare. Është e gjitha për të sulmuar fjalën e lirë.
Nëse ke ndërmend të vizitosh SHBA-të, tani do të mendohesh dy herë para se të kritikosh Trump-in në internet. Ky është si një paralajmërim për të gjithë botën. Duhet të bëjnë kujdes me ato që thonë për SHBA-të, nëse duan të shkelin atje.
Dhe teksa ky propozim mund t’u jetë drejtuar vetëm vizitorëve, përçon edhe një mesazh te banorët dhe nënshtetasit amerikanë që të bëjnë kujdes me atë që shkruajnë në internet. E kemi parë që tani që të kritikosh Trump-in ka pasoja të rënda. CNN hoqi emisionin e Reza Aslan vitin e shkuar, pasi e quajti presidentin “jashtëqitje” në Twitter. “Delta Air Lines” dhe “Bank of America” tërhoqën sponsorizimet nga Teatri Publik për vënien në skenë të “Jul Çezarit” në Nju Jork, pasi u akuzua se ishte fyes për Trump-in.
Mediat kryesore, të cilat Trump i urren aq shumë, duket se janë fiksuar tani për t’i bërë qejfin presidentit, duke punësuar gazetarë apo duke paguar seriale që tërheqin mbështetësit e tij. Për këtë arsye po bëhen seri të reja të “Roseanne” dhe për këtë arsye, çdo javë, gazetat nxjerrin artikuj që humanizojnë fqinjët nazistë (me shprehjen e fundit autorja i referohet një shkrimi në New York Times, të shkruar nga Richard Fausset, i titulluar “Një zë në zemër të Amerikës”. Shkrimi ka marrë kritika të shumta për portretizimin që i bëhet një nazisti, aq sa New York Times u detyrua të botojë një shpjegim.)
Trump dhe pikëpamjet e tij po normalizohen ngadalë, por me hapa të sigurt. Trump është aq i aftë për të krijuar lajme të forta që e largojnë vëmendjen nga më e rëndësishmja, sa tani as nuk po tronditemi më: po na lodh deri në pikën që të nisim të pranojmë gjithçka në heshtje. Por këtë zgjerim të kontrolleve nuk duhet ta lejojmë kurrsesi pa luftuar.
Kërkesa që i bëhet vizitorëve për të dhënë informacione të rrjeteve shoqërore nuk është thjesht për të kontrolluar se kush kapërcen kufijtë amerikanë, por për të mbytur kritikat ndaj presidentit. Kështu që, më e pakta që mund të bëni, është ta postoni në Twitter. Për sa kohë që e keni ende këtë mundësi.
Arwa Mahdawi, the Guardian
Top Channel