Edhe pse skuadra e tij e re u mund me rezultatin 3-1, Leonardo Bonucci ishte protagonist në stadiumin që për 7 sezone ishte shtëpia e tij.
Mbrojtësi i Milanit jo vetëm që shënoi golin e barazimit të përkohshëm, por e bëri atë duke mposhtur në duelin ajror Barzaglin dhe Chiellinin, me të cilët formonte atë që njihej si “Muri” i bardhezinjëve, BBC-në.
Leo e festoi shijen e golit, por jo fitoren në fund të takimit. Megjithatë, në intervistën e dhënë për mediat italiane ai ka me se të mburret.
“Nëse do të më shënonin mua një gol të tillë, mes dy lojtarëve do të plasja nga inati. Nuk e di si ndjehet Giorgio dhe Andrea, por unë do të plasja nga inati”, tha ai, duke shtuar se vazhdon të ruajë miqësinë jashtë fushe me të dy lojtarët e Juventusit.
Sa i takon të ardhmes, Bonucci thotë se Milani po rritet, por ka nevojë për një lojtar që të zgjidhë ndeshjet e mëdha, siç ishte ajo me Juventusin në “Allianz Stadium”, ku kuqezinjtë shpërdoruan disa raste.
Top Channel