Kërcënoi Haradinajn, Veseli i përgjigjet Erdogan: Kosova s’u nënshtrohet presioneve të jashtme

01/04/2018 16:01

Kryetari i Kuvendit të Kosovës shprehu habi ndaj deklaratave të Rexhep Taip Erdogan në adresë të Kryeministrit Ramush Haradinaj.

“Jemi të befasuar me deklarimet e Presidentit te Republikës së Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, të drejtuara ndaj Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në një kohë kur institucionet e Republikës së Kosovës po trajtojnë në hollësi veprimet që çuan në arrestimin dhe deportimin nga Kosova në Turqi të gjashtë shtetasve turq”, shkruan ai në rrjetet sociale.

Veseli thotë se Turqia e ka treguar në të shkuarën dhe vazhdon të tregojë se është një vend mik i Kosovës, por shton se të tilla deklarata nuk kontribuojnë në forcimin e miqësisë mes dy vendeve. Ai thotë se institucionet e Kosovës nuk mund të bien pre e presioneve të jashtme.

“Veprimet e institucioneve të Republikës se Kosovës janë sovrane dhe si të tilla nuk mund t’u nënshtrohen presioneve të jashtme. Në këtë drejtim, edhe marrja në përgjegjësi e bartësve të institucioneve të sigurisë është çështje e brendshme dhe në diskrecion të lidershipit të Kosovës”, shkruan kreu i Kuvendit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA