PDK i kërkon presidentes së re të kthejë Ligjin për Specialen në Kuvend, Justina Shiroka Pula pritet të marrë vendimin
Mes synimeve për të forcuar lidhjet me Bashkimin Europian, Kosova detyrohet tashmë të hetojë ekstradimin e 6 të dyshuarve si “gylenistë” drejt Turqisë, operacion ky që mund të sjellë pasoja për vendin.
Kryeministri kosovar, Ramush Haradinaj urdhëroi një ditë më parë hetimin e ngjarjes, që trazoi vendin gjatë ditëve të fundit, operacion që është urdhëruar pa dijeninë e tij, siç shprehet vet.
Ankaraja zyrtare pretendon se 6 të dyshuarit janë anëtarë të lëvizjes së klerikut turk që jeton në SHBA, Fethullah Gulen, dikur aleat i ngushtë i Erdoganit, sot armiku i betuar i tij që akuzohet për përpjekjen e dështuar për grusht shteti korrikun e vitit 2016.
Por, presidenti turk reagoi në mënyrë të çuditshme të shtunën, kur shprehu “pikëllimin” e tij me veprimet e Haradinajt për shkarkimin e ministrit të Brendshëm dhe shefit të shërbimeve sekrete, për arrestimin dhe deportimin e 6 shtetasve turq, pa lejen e tij.
Erdogani tha se Haradinaj do të paguajë për veprimet e tij, teksa i drejtoi pyetjen: Që kur keni filluar të mbroni ata që punuan për të bërë një grusht shteti kundër Republikës së Turqisë?
Agjencia shtetërore e lajmeve në Turqi, “Anadolu Agency” i përshkroi burrat si persona të lartë në lëvizjen “Gulen”, lëvizje e konsideruar si organizatë terroriste prej Turqisë.
Florian Bieber, ekspert i Ballkanit në Universitetin e Grazit në Austri, i tha agjencisë së lajmeve “Reuters” se incidenti mund të ishte i dëmshëm për Kosovën, një vend që po përpiqet të ndërtojë lidhje më të ngushta me Bashkimin Europian.
“Sigurisht që do të dëmtojë Kosovën, si për të hedhur dyshime mbi sundimin e ligjit dhe autoritetin politik, edhe për bashkëpunimin me një regjim që është autoritar dhe gjithnjë e më antagonist ndaj BE-së”, tha Bieber për “Reuters”-in.
Ndaj arrestimit dhe deportimit të shtetasve turq ka reaguar edhe organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, “Human Right Watch” (HRW). “Përveç arrestimeve të diskutueshme, ata u dërguan në një vend ku përballen me rrezikun serioz të torturës”, tha “HRW” në një deklaratë.
Top Channel