Arkivohet humbja ndaj Juves, Gattuso: Fokusin, te derbi i Milanos

01/04/2018 10:30

Loja ishte në nivelin më të mirë, por rezultati i Milanit në “Allianz Stadium” nuk e ka lënë mjaftueshëm të kënaqur trajnerin Gattuso.

Gjithmonë i drejtpërdrejtë dhe pa përdorur diplomacinë, numri një i pankinës së kuqezinjve vlerësoi ekipin për 90-minutëshin në transfertë, ndërsa kërkoi fokusin tashmë te derbi i Milanos.

“Nuk mund të vij këtu e të them që u kënaqa me paraqitjen, por jam vërtet pozitiv për këtë, edhe pse humbja na djeg ende. Rezultati është i gënjeshtërt dhe kjo ndeshje i ngjan shumë asaj të Londrës me Arsenalin. Mund të shfrytrëzonim më mirë kundërsulmet, por nuk e bëmë, e me një ekip si Juventusi, që nuk të lë hapësira, këto nuk falen. Kur ndeshja hyn në 15 minutat e fundit nuk vlen shumë organizimi, por gjendja fizike dhe kjo ishte diferenca”, tha trajneri i Milanit.

“Tani do të rikuperojmë energjitë për të mërkurën, pasi vetëm pak javë më parë Championsi ishte një objektiv i pamendueshëm, ndërsa tani të shohim se çfarë do të ndodhë në derbi: ose do të fitojmë, ose do të përballemi me vështirësinë edhe për në Europa League. Në këto momente, Interi është në gjendje të mirë”, tha Gattuso.

Top Channel