Zona e Myzeqesë kohët e fundit është kthyer në një nga zonat më të preferuara të hajdutëve. Çdo natë raportohen vjedhje në fshatrat e Lushnjës dhe Divjakës.

Hajdutët nuk po kursejnë asnjë gjë, marrin çdo gjë që ju del përpara. Një nga familjet e dëmtuara nga vjedhjet është ajo e Nazmi dhe Myzajete Toshkollarit në fshatin Pirrë të Lushnjës.

Pak kohë më parë kësaj familjeje hajdutët i morën 4 lopë. Myzajetja tregon natën e vjedhjes, ku rreth orës dy pas mesnate kishte ndjerë hajdutët dhe kishte dalë për të parë se ç’kishte ndodhur. Telefonuan, sic thotë, policinë, por kjo e fundit mbërriti me shumë vonesë.

“Asnjë nuk na u përgjigj, në kohën kur ndjeva hajdutët. Telefonova 129-ën në 02:45 dhe policia më erdhi në shtëpi më 4:45”, thotë Myzajetja.

Krahas frikës që po përjetojnë, bashkëshorti i saj thotë asnjë person nuk është kapur.

“Deri tani askush nuk është kapur, çka do të thotë se hajduti është i lidhur me shtetin”, thotë Nazmi Toshkollari.

Lopët ishin pasuria e vetme e këtyre pleqve, të cilët veç vetes së tyre, duhet të kujdesen dhe për vajzën e vetme, të ve, si dhe dy fëmijët e saj.

Të gjithë në fshat ndjehen të frikësuar. Asnjë nuk ndjehet i sigurt, të gjithë flenë gjumë me frikën se të nesërmen do të zgjohen dhe do t’i mungojë diçka në shtëpinë e tyre.

Top Channel