Një tre pikësh me shumë sakrifica, kështu e ka vlerësuar trajneri i Vllaznisë, Ernest Gjoka triumfin ndaj kryesuesve të kampionatit.
“Është e vërtetë që sot interpretuam mjaft mirë takimin, duke pasur parasysh edhe situatën në të cilën ndodhemi, ku kemi nevojë emergjente për të marrë pikë. Skënderbeu dihet tashmë kush është dhe nuk është aspak e lehtë të fitosh ndaj tyre, por ne ia dolëm me shumë sakrificë, të marrim këtë 3-pikësh me shumë vlera”, u shpreh ai për Supersport.
Më tej Gjoka ka vlerësuar jo vetëm autorin e dy golave në këtë ndeshje, Ribaj, por të gjithë skuadrën: “Të gjithë futbollistët sot bënë një ndeshje mjaft të mirë dhe interpretuan në mënyrë perfekte takimin”.
Por pavarësisht fitores ndaj një ekipi të vështirë si Skënderbeu rreziku i rënies nga kategoria është shumë i lartë, e për këtë arsye Gjoka thekson se deri në javën e fundit kur të shpëtojnë matematikisht ekipi i tij nuk do të gjejë qetësi.
“Ne nuk kemi qetësi, deri në javën e fundit. Edhe sot fituam ne, por fitoi edhe kundërshtari poshtë nesh dhe diferenca është vetëm një pikë, ndaj nuk do të kemi qetësi, derisa të shpëtojmë matematikisht”, tha trajneri i Vllaznisë, Ernest Gjoka.
Top Channel