Me Lushnjën që e sheh veten një kategori më poshtë, durrsakët janë pretendentët kryesorë në këtë pikë të kampionatit për t’iu bashkangjitur në Kategorinë e Parë.
Ka mjaftuar një gol i vonë i mbrojtësit Silvestër Shkalla në minutën e 85-të për të mposhtur 1-0 Laçin në Niko Dovana dhe për t’u ngjitur në kuotën e 29 pikëve, 1 më pak se Vllaznia, që fitoi kundër Skënderbeut.
Por që para fillimit të kësaj ndeshje, Teuta-Laçi ishte e paragjykuar se do të kishte një tolerim në favor të durrsakëve.
Të pyetur nga Supersport, diçka e tillë nuk është pranuar thuajse njëzëri nga asnjë prej trajnerëve.
“Unë mendoj se në kampionatin shqiptar paragjykimet fillojnë që herët, nuk ka qenë problem për lojtarët. Edhe me Lushnjën u aludua sikur kundërshtari toleroi, megjithatë ne e kishim përgatitur siç duhet ndeshjen. Sot kishim një kundërshtar të fortë si Laçi. 3 pikë të merituara dhe të shikojmë përpara tani”, u shpreh trajneri i Teutës, Gentian Begeja.
Ndërkohë që trajneri i Laçit, Gentian Mezani hodhi poshtë akuzat mbi një humbje të paralajmëruar sot në Durrës, teksa tha se skuadra e tij luajti për të fituar, pavarësisht se nuk ia doli.
“Sinqerisht po iu them që kemi luajtur për ta fituar këtë ndeshje. Nuk më intereson çfarë thonë të tjerët. Sot nuk kemi qenë në lartësinë e duhur. Në qoftë se një skuadër punon gjithë javë, nuk vjen për tu tallur për të hedhur poshtë gjithë punën. Më pastërti po ia u them që ndeshja ka qenë e luftuar”, u shpreh Mezani.
Top Channel